Showing posts with label Lulja e Zemres. Show all posts
Showing posts with label Lulja e Zemres. Show all posts

Wednesday, 4 March 2015

Në Trenin Ogurzi

Beni me të ëmën dhe motrën mezi i shpëtuan zjarrit të luftës. Me disa plaçka në shpinë e me fëmijët për dore, Hana Guri iu bashkua atyre njerëzve fatmjerë që po iknin për të shpëtuar kokën. Por ata zjarrvënësit, korba të zinj, u dolën përpara. Me kërcënim të armëve i detyruan të merrnin drejtimin e Fushë-Kosovës. Prej atje donin t’i shpërngulnin në Maqedoni apo në dreq të mallkuar. Po, atje, në Fushë-Kosovë po i priste ai treni ogurzi, karakatinë e dreqit, i cili po e zbrazte Kosovën.

Ashtu zemërthyer, Hana po qante pa zë. Edhe Beni e Shpresa, me nga një çantë në dorë, ku mbanin ca libra dhe gjësende të tjera, po ecnin ngjitur me të ëmën, të heshtur e zemërngrirë. Edhe turma ishte e nemitur. Vetëm ndonjë vaj foshnje apo fëmije të uritur, herë-herë e prishte qetësinë e atij mëngjesi të përhitur. Por ata ishin zëra që dilnin si të ngulfatur, sa nga lodhja, etja e uria, po më shumë nga frika e policëve mjekroshë e zijoshë.

Në stacionin hekurudhor, në Fushë-Kosovë, ishte grumbulluar një mori njerëzish. Më shumë dalloje gra, fëmijë e burra të moshuar. Kishte dhe djem të rinj, por ata ishin të paktë. Shumica kishin rrokur armët për të luftuar shkelësin. Të gjithë të lodhur e të rraskapitur. Policë të shumtë po e ruanin turmën, të gatshëm që për çfarëdo kundërshtimi të përdornin shufrat dhe armët. Edhe Beni ishte këputur nga lodhja, por më shumë e kishte molisur etja. Buzët i ishin bërë shkrumb. Një sylynjar i kroit, që gjendej para ndërtesës së stacionit hekurudhor, rridhte pa pushim. Si duket, ata policët, e kishin lënë me qëllim të rridhte, vetëm sa për t´i ngashënjyer njerëzit e molisur e të etur, për të njomur buzët e shkrumbuara. Por ec e shkëputu nga turma. Kordoni i policëve nuk lejonte asnjë lëvizje, se shmangie jo se jo. Uji i kthjellët e joshi edhe Benin. Në atë gjendje të padurueshme që ishte, në një moment, u shkëput prej duarve të së ëmës dhe u nis drejt kroit. Një polic me sy të gjakosur e urdhëroi të zmbrapsej. Beni s’e kuptoi gjuhën e tij. Vazhdoi të ecte drejt kroit për të pirë ujë. Polici e kapi për veshi. Deshi t’ia këpuste. E ëma vrapoi pas tij për ta shpëtuar. Polici i ra me shufër. Në atë rrëmujë, Benit i ra çanta nga dora. Një polic tjetër i mëshoi çantës me këmbë. Plaçkat u shpërndanë. Bashkë me të tjerat edhe librat dhe ato tri – katër piktura, të cilat kishte arritur t’i merrte me vete. Beni nisi t’i mblidhte, por polici i mëshoi me shufër në dorë. Djaloshi ndjeu dhembje të fortë, por nuk iu tremb syri. Librat dhe pikturat ishin dhembja e tij. Në ato çaste erdhi treni. Turma lëvizi. Polici e la Benin, për t’u marrë me turmën. Pastaj, sa çel e mbyll sytë, vagonët u mbushën përplot me njerëz. Një fishkëllimë e hollë sikur ua shpoi zemrat tej më tej. Treni ogurzi, u nis në drejtim të jugut, duke rënkuar e gjëmuar nga barra e rëndë: drang-drang, drang-drang ...

Hana Guri me fëmijët u gjend diku në vagonët e fundit. Njerëzit ishin ngjeshur si sardelet. Vështirë të gjeje vend për të qëndruar në këmbë, se të uleshe ishte e pamundur. Të zihej fryma nga ajo zagushi. Nuk fliste kush. Mbretëronte qetësi varri. Te të gjithë vërehej një brengë e thellë, frikë dhe pasiguri për fatin e tyre. Vallë! Ku do t’i shpinin?!

Në Maqedoni, apo edhe më larg?! Ndoshta andej nga Anadolli. Ku u dihej planeve të shkelësit. Disave, më të moshuarve, në ato çaste, po u kujtohej shpërngulja e shqiptarëve për në Turqi, me dhunë e terror. Ishin ato vitet ogurzeza, vitet ‘56 të shekullit të njëzetë. Atëbotë, i njëjti shkelës shqiptarëve u kërkonte të dorëzonin armë, i kishin apo nuk i kishin. Kush e duronte dhunën, rrihej e dërrmohej, disa edhe vdisnin nga torturat, por nuk e lëshonin pragun e shtëpisë, nuk e lëshonin Kosovën. Ata që nuk duronin dhunë, shitnin shtëpi e tokë dhe, me ato pakë para, i rregullonin vizat, pastaj ngarkoheshin në trenin për Turqi. Edhe atëherë, ai treni ngarkohej deng me refugjatë shqiptarë dhe nisej në drejtim të Stambollit, duke gjëmuar: drang-drang, drang-drang... Një plaku në moshë të shtyrë iu kujtua ajo shpërngulja me dhunë e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit, në vitin 1878, dhe rrëfimet e gjyshit për atë furtunë terrori, kur njerëzit, për të shpëtuar kokën, kishin lënë shtëpitë dhe tokat dhe ishin strehuar në Kosovë e gjetiu. Duke i kujtuar të gjitha këto shpërngulje nga i njëjti shkelës, plaku nuk po mund t´i përmbante lotët. E mendonte më të keqen. Mos vallë po i dërgonin në ndonjë kasaphanë?! Mjaftonte të ndalonin trenin në ndonjë grykë mali, andej nga Kaçanikut, dhe t’i masakronin, t’i bënin mish për topa. Kishte edhe të atillë që as në situata të vështira nuk ligështoheshin, e mbanin atë krenarinë njerëzore. Me një qëndrim të tillë me dinjitet sikur u jepnin zemër të tjerëve të qëndronin të qetë, të mos i kapte paniku. I tillë ishte dhe një burrë, në dukje intelektual, i të pesëdhjetave. Ai, siç qe ulur, u ngrit dhe, me një zë autoritar, e theu atë heshtje varri:

- Mos u ligështoni, o njerëz, se një ditë do të kthehemi në shtëpitë tona! Amerika po na ndihmon, ore, e dini ju? Edhe Evropa. Edhe djemtë tanë po luftojnë për lirinë e Kosovës. E po, hapni dritaret e vagonit që të mos ngulfatemi – propozoi apo urdhëroi, kjo nuk ishte me rëndësi. Pastaj iu drejtua Hanës: - Zonjë, urdhëroni e uluni me fëmijët në vendin tim.

Të gjithë sa ishin në vagon u befasuan nga toni urdhërues i atij burri. U kthyen dhe po e shikonin me habi. Nga i erdhën ajo fuqi e siguri në zërin e tij. Hana, e befasuar nga mirësjellja e zotërisë, i cili ia liroi vendin, e falënderoi, pastaj u ul me Benin e Shpresën, të ngjeshur pranë vetes. Në atë gjendje që ishte, zemra po i qante, por fjalët dhe gjesti i atij burrit, paksa i dhanë fuqi të mos ia plaste vajit. Edhe Beni ishte shumë i pikëlluar nga ato pamje të trishtueshme që përjetoi atë ditë. Djegia e shtëpisë, dhembja për gjyshërit, ndarja nga Lulja e zemrës, torturat që i bënë policët mjekërzinj në stacionin hekurudhor, pikëllimi për pikturat e djegura, të gjitha këto kishin lënë vragë të pashlyeshme në shpirtin e njomë të këtij vogëlushi. Ashtu i traumatizuar siç ishte, ia nisi të dëneste.

Hanës i qante zemra për të birin, por nuk dinte si ta qetësonte. Fjalët ishin të tepërta në ato çaste të vështira, jo vetëm për të dhe fëmijët e saj, por edhe për të gjitha ata që u gjenden në atë tren famëkeq. E mori në përqafim dhe lotët e saj u përzien bashkë me të birit. Ngrohtësia e së ëmës dhe lëkundjet e trenit, dikur e qetësuan Benin. Ashtu në përqafim të nënës e zuri gjumi, një gjumë përplot ëndrra të trishtueshme.


____________________
[Mujë S. Berisha: "Lulja e zemrës", "Rozafa", Prishtinë, 2010, fq.34]

Saturday, 4 January 2014

Lulja e Zemrës (2010)


Muje S.Berisha: "Lulja e Zemres", 2010

Mujë S. Berisha

LULJA E ZEMRËS
Roman

"Në kujtim të përhershëm vëllait Isufit, shoqes së jetës – Myrvetes dhe sugareshës – Violetës; të gjithë atyre që fati ua paracaktoi të përjetonin ditë të hidhura në kohë lufte në Kosovë dhe ecejake refugjati.

Edhe të gjithë vëllezërve e motrave – shqiptarë të Maqedonisë e të Shqipërisë, të cilët na pritën zemërhapur dhe nuk kursyen asgjë që jetën tonë të refugjatit të na e bënin sa më të lehtë e të durueshme."

SHTËPIA
BOTUESE ROZAFA
PRISHTINË,2010

BIBLIOTEKA KUTELI

Redaktor:
Sali Bashota

Recensent:
Ramadan Musliu

Lektor:
Sulejman Dërmaku

Ballina:
Jeton Halili

Korrektore:
Violeta Berisha - Fejzullahu

Realizimi kompjuterik:
Ardiana Mehmeti - Bajrami

U shtyp në shtypshkronjën
PROGRAF, Prishtinë

Financuar nga:
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit

ISBN 978-9951-02-203-3

Verzioni elektronik:
librariaeletronike.com

PËRMBAJTJA: Fq.
Prolog 5
PJESA E PARË:
Lindja e Arben Gurit - Syshkruarit 7
Magjia e ylberit 8
Shkarravinat e Benit 9
Beni piktor 10
Portreti i babait 12
Malësor Guri, kurrë nuk gjunjëzohet 14
Syzeza me dy gërsheta 16
Lufta i mori të gjitha, vendlindja mbeti vetëm vegim kujtimesh 19
Polici mjekërzi me zë korbi 23
Oxhaqet e shtëpive të djegura dëshmi për qëndresën 31
Në trenin ogurzi 34
PJESA E DYTË:
"Në Bllacë mezi dola nga Ferri i Dantes" R.Kuqi 39
Në ferrin e Bllacës 40
Apoteoza e bukës dhe e ujit 46
Njerëzit zemërbardhë 49
Vdekjet dhe lindjet janë pjesë e jetës 54
Dalja nga Kampi i tmerrit 67
PJESA E TRETË:
Gjaku nuk eshte ujë 71
Në Tetovë 72
Në familjen e doktorit si në zgjua bletësh 73
Mysafirët e rinj 79
Në spitalin e Tetovës 85
Dhoma numër 5 93
Në vizitë te Beni 110
Ushtari i plagosur Zef Sinishta 125
Një lajm i mirë 143
Shkolla me dyer hapur i pret fëmijët kosovarë 147
Ëndrra e trishtueshme 159
Profesor Astriti e viziton Benin në spital 161
Bllaca zbrazet - gjurmët e së keqes mbeten 168
Beni del prej spitalit 173
Përsëri tok në "Familjen e madhe" 177
Trazim mendimesh 201
Një ndarje e dhimbshme 217
PJESA E KATËRT:
Në Turqi 221
Në Kampin "Gazi Osman Pasha" 222
Ndjenja e refugjatit të vërtetë 226
Takimi i vëllait me motrën 228
Ditët në kamp po rrokulliseshin ngadalë 230
Në shkollën e Kampit 233
Nënshkrimi i Marrëveshjes së Paqes në Kumanovë u solli gëzim të madh refugjatëve 235
Një orë e më parë në Kosovë 240
PJESA E PESTË:
Persëri në tokë Kosove 243
Dikush nga udhëtarët u përkul dhe e puthi tokën 244
... O Lulja ime! Shihemi nesër në shkollë
... O Beni im! Shihemi nesër në shkollë
248
Fund 250
Mendime rreth romanit "Lulja e zemrës" të autorit Mujë Berisha 251
Shënime biografike për autorin 253


* * *

“Romani i Mujë S.Berishës, “Lulja e zemrës”, për dallim nga kjo rrjedhë e romanit të deritashëm, përpiqet të përfillë një koncept krejtësisht tjetër: dokumentimin e realitetit duke trajtuar një moment thelbësor nga jeta kolektive e shqiptarëve në një moment tragjik të historisë nacionale: tragjedinë e Bllacës, të cilën shpesh jemi prirë ta quajmë edhe si një “eksod biblik”.

Autori Mujë S.Berisha përvojën reale nga ky eksod arrin ta transformojë artistikisht dhe të bëjë mbindërtimin artistik, duke profilizuar personazhe, karaktere dhe fate në një situatë sa tragjike po aq edhe me perspektivë të hapur se historia duhet të shkojë tutje, se ekzistenca etnike duhet të vazhdojë më tej.

Romani “Lulja e zemrës”, pos vlerave artistike që sjell, ai njëherazi ka edhe statusin e një dokumenti artistik për një periudhë historike që shënon kulmin e tragjikës nacionale. Situata tragjike që përbën bërthamën e rrëfimit romanor, vjen si një katarsis moral sepse ofron paradigmën e një pikëvështrimi human të njeriut në situata skajshmërisht johumane.

Botimi i këtij romani pa dyshim se paraqet një kontribut në jo vetëm si dokumentim të një periudhe të rëndë për etnikumin tonë, sepse forcon memorien historike, por edhe si një artikulim artistik ku historia bashkëjeton me kujtesën artistike, sikundër që edhe pasuron zhanrin e romanit me një vepër që i dedikohet një lexuesi paksa më të rritur, atij të fazës së adoleshencës.”
Ramadan Musliu