| Akademik Mehmet Halimi |
FJALA E REDAKTORIT
Ndjeva kënaqësi dhe nderim të veçantë kolegjial e intelektual, shoqëror e njerëzor, kur dy autorët e nderuar, Hamza Halabaku dhe Mujë S. Berisha, më propozuan dhe m’u lutën që të jem redaktor i veprës së tyre monografike me titull: “NJË JETË NË MISION TË DIJES DHE TË IDEALEVE KOMBËTARE”, për faktin se Profesor Tahir Z. Berishën e kisha pasur profesor, shok e mik besnik, fqinj të respektuar dhe bashkëpunëtor e “vek për yrrnek”, si edukator arsimor i vyer e i rryer i arsimit kombëtar, nga njëra anë, por më kaploi një drithërimë e sëmbim zemre e dilemë e ndërgjegjësisë dhe përgjegjësisë se sa do të arrij ta ndriçoj e vlerësoj veprën në fjalë, që është shkruar e hartuar për këtë kolos të kulturës e misionar të arsimit kombëtar, nga ana tjetër.
Mirëpo, këtu, nuk do të flas drejtpërdrejt e kryesisht për protagonistin e veprës në fjalë, për Prof. Tahir Z. Berishën. Për Të, kanë folur e kanë shkruar dy autorët e monografisë në fjalë, por do të përpiqem me të gjitha aftësitë e mia mendore e përvojën time intelektuale të studioj e të analizoj, të çmoj e të vlerësoj punën titanike, djersën e mundin e pakursyer të bashkautorëve të monografisë në fjalë, se në ç’masë ata ia kanë arritur qëllimit të ndriçojnë dhe t’ia shpjegojnë publikut lexues punën gjigandeske të këtij kolosi e misionari të arsimit tonë kombëtar. E, pra, rrjedhimisht, merret vesh, se, duke folur për vlerat e veprës në fjalë, vijimisht zihet ngoje personazhi kryesor, si strumbullari dhe epiqendra e veprës – Prof. Tahir Z. Berisha.
Duke i çmuar e duke i nderuar bashkautorët e kësaj monografie, sa vëllimore, po aq cilësore, sa të rëndësishme e të pëlqyeshme, po aq të mirëpritur, jo vetëm si shokë e miq seriozë e dinjitozë, por edhe si shkrimtarë e poetë, si intelektualë të rryer e të vyer të shkrimit shqip, më mbante besa e më ushqente shpresa dhe bindja e plotë se lënda e mirë ka rënë në duar të mjeshtërve të mirë e të sigurt. Ndaj, me kureshtje të madhe e me interesim të veçantë, me padurim, me vullnet e me gëzim të madh i hyra leximit të dorëshkrimit të monografisë në fjalë me shënime, sepse ai që lexon me shënime lexon dy herë. Kjo vepër i kushtohet një personaliteti me përmasa universale e shumëdimensionale, i cili, me punën e tij kolosale, la gjurmë të dalluara e të dokumentuara në historinë e arsimit e të kulturës sonë kombëtare, punë me të cilën krenohet e mburret mbarë kombi shqiptar. Sepse ai, jetoi e veproi, punoi e krijoi vlera të arsimit tonë kombëtar, e madje edhe vetë u bë vlerë e rëndësishme kombëtare, e vlera është gjithçka, e jo lavdia. Prandaj, Ju përgëzoj, se edhe ju, si bashkautorë, duhet të mburreni e të krenoheni që keni shkruar e keni shestuar, keni trajtuar e keni analizuar dhe keni ndriçuar gjithanshëm, në hollësi e detaje, duke mos lënë asnjë segment të jetës së Prof. Tahir Z. Berishës pa nxjerrë në dritë e pa vënë në spikamë gjithë veprimtarinë e tij arsimore e publicistiko-shkencore të një personaliteti me nam e famë, që ia la nderin popullit e atdheut të vet. Ai, ashtu siç erdhi i pastër në këtë jetë, ashtu i pastër e me nder shkoi nga kjo jetë, duke lënë si një meteor shkëlqimin e ndritshëm prapa. Sepse, ai na la veprat e korpusin e katër vëllimeve enciklopedike “EMRA QË NUK HARROHEN”, që kapin me mijëra faqe e lëndë të pasur nga fusha të ndryshme të arsimit e të dijes, që do t’u shërbejnë brezave në vijim.
Duke lexuar veprën në fjalë, m’u duk sikur hyra nga një deriçkë, por sapo hyra në brendinë e saj m’u shpërfaq një horizont i gjerë e i pafund, me një mal të dhënash, faktesh e argumentesh, ngjarje e ndodhi, vepra e aksione, një thellësi oqeanike e një freski moralo-didaktike dhe etiko-estetike, sikur më stolisën e më pajisën me njohuri e dituri më të pasura, më të gjera e më të thella për punën e madhe e të nduarnduart edukativo-arsimore e publuicistiko-shkencore të këtij burri të madh të kombit shqiptar, siç ishte Prof. Tahir Z. Berisha. Ndaj, kur e shfletova, e lexova dhe e analizova në universin tim mendor, u binda se as besa e as shpresa nuk më zhgënjyen, as syri e as mendja nuk më gënjyen... Sepse, veprën në fjalë, e lexova me një frymë, me gëzim, durim e interesim të madh, me ëndje e kënaqësi, e nuk mund ta lëshoja nga dora as ta heqja nga mendja derisa i dola në fund. Gjatë leximit ndjeva një freskim e pasurim me vlera artistike e historike, shpirtërore e njerëzore. Dhe me këtë rast e çast vërejta seriozitetin, saktësinë e maturinë e bashkautorëve, qasjen e tyre të kujdesshme, gjuhën e pastër të gurrës popullore të letrarizuar e fjalët të përdorura me vend e me kripë, e kripa me karar, sepse “fjala është dukat, kur ajo thuhet me grat” (fj. urt. pop.), stilin e rrjedhshëm e mbarështimin e lëndës arsyeshëm e logjikshëm.
Autorët, pra, pa dyshim shihet se kanë bërë një “lavër” të mirë e të thellë, sipas vendit e rendit, duke mos lënë “lavrën laknuer”, siç thotë bujku i mirë, duke mos anashkaluar e duke mos harruar asnjë detaj sado të vogël të veprimtarisë së pasur e të ngjeshur, të gjerë e të thellë të protagonistit të tyre, që ishte si strumbullar i veprës në fjalë, në fushën e arsimit tonë kombëtar, të Prof. Tahir Z. Berishës.
Të gjitha këto kishin mbështetje dhe parim moralo-intelektual dhe, duke qenë të udhëhequr e të prirur nga respekti e kultivimi i ndërgjegjes e përgjegjësisë së lartë njerëzore, autorët në parathënien e tyre me modesti theksojnë: “Ne autorët e kësaj monografie, morëm guximin, mprehëm penën dhe angazhuam potencialet tona mendore që t’i hyjmë punës në shkrimin e këtij libri monografik, duke shpresuar se po lajmë një borxh për një njeri tonin në kuptimin e gjerë të fjalës, për një intelektual mendjendritur nga fusha e arsimit dhe kulturës; për një atdhetar të paepur në mbrojtjen e kauzës kombëtare - për Tahir Z. Berishën” (Cit. nga parathënia, f. 13).
Suksesi në realizimin e kësaj monografie të autorëve në fjalë, rezulton nga fakti se ata zgjodhën një temë shestimi e trajtimi të qëlluar për një personalitet të shquar të arsimit tonë kombëtar – për Tahir Z. Berishën, i cili e ndoqi rrugën e veteranëve tanë prijatarë, si të: Mehmet Gjevorit, Beqir Kastratit, Shevqet Veliut, Zeqir Bajramit, Idriz Ajetit, Ramadan Jusufit e shumë veteranëve të tjerë, që, siç shprehet Ismail Kadare: “Kombet nuk i kapërcejnë krizat ekonomike dhe psikologjike pa përpjekjet e një elite, që duhet të jetë laborator i kulturës, i përparimit dhe qytetërimit të tij”. Kësaj elite i takon edhe Prof. Tahir Z. Berisha, i cili, si korife i arsimit kombëtar, i thelloi, i intensifikoi dhe i zgjeroi aksionet e metodat në fushën e arsimit shqip, duke organizuar e duke udhëhequr dhjetë Takime të veteranëve të arsimit në Kosovë. Është kjo një temë, sa fisnike e historike, po aq e etshme, e nevojshme dhe kureshtare për të njohur e për të mësuar misionin e shenjtë e të shtrenjtë, të vepruar e të ushtruar nga misionari i arsimit tonë kombëtar, Prof. Tahir Z. Berisha, i cili punoi me zell e përkushtim për emancipimin dhe arsimimin tonë shoqëror e kombëtar.
Pikërisht, ky pishtar dhe misionar i arsimit tonë kombëtar, duke përhapur rreze drite të dijes njerëzore, sforcoi e pasuroi themelet e kështjellës arsimore, që do të shërbejë si shtyllë kurrizore e kulturës sonë kombëtare shqiptare për të sotmen dhe të ardhmen. Në këtë mënyrë, siç vënë në pah autorët, Tahir Z. Berishës i takon merita e lëvduar si prijatar punëmbarë, i cili krijoi kushte dhe i ofroi mundësi zhvillimit mbarëkombëtar në fushën e arsimimit në gjuhën tonë të ëmbël, të shenjtë e të shtrenjtë shqipe, që është tapia e truallit tonë të lashtë autokton arbëror dhe simbolizon identitetin tonë kombëtar.
Bashkautorët e monografisë në fjalë, Hamza Halabaku dhe Mujë S. Berisha, si dy projektues e arkitektë të mirë e të vyer, lëndën e tyre studimore e mbarështuan me kujdes e dashuri, me vullnet e përkushtim, me përgjegjësi e saktësi, duke e organizuar e duke e ndarë veprën në 15 pjesë e në 38 krerë, të shtruar në mbi 700 faqe tekst libror, të cilët përbëjnë shtyllën kurrizore të veprës monografike në fjalë. Nëpër këto pjesë e nëpër këta krerë, ata me mjeshtëri endin dhe vekojnë indin lidhnor nëpërmjet ngjarjeve e ndodhive, fakteve e argumenteve gojore e shkrimore, arkivore, personale e shoqërore, që përbëjnë eshtërinë skeletore të monografisë dhe natyrshëm e logjikshëm ndërtojnë e ndërlidhin ngushtë formën dhe përmbajtjen si një tërësi të plotë, unike, të një vepre organike e biografike, arsimore e publicistiko-shkencore, me njohuri të thella të rrjedhave jetësore të këtij misionari të shquar të arsimit tonë kombëtar.
Veprës në fjalë i paraprin parathënia e shkurtër, por e ngjeshur, ku autorët shpalosin synimet e tyre: Të prirur nga dëshira e vullneti, nga synimet e qëllimet dhe të vendosur për të realizuar këtë monografi në të cilën në mënyrë gjithëpërfshirëse arrihet ndriçimi i plotë dhe i dokumentuar i jetës, i rrethanave të shkollimit dhe veprimtaria e Prof. Tahir Z. Berishës, si mësues e profesor, si drejtor e inspektor, si kryeinspektor i arsimit e shkrimtar dhe si veprimtar e atdhetar guximtar i flaktë e i zjarrtë, duke vënë në rrezik shpesh edhe jetën që nga periudha e Luftës së Dytë Botërore e deri në frymëmarrjen e grahmat e fundit të jetës së tij, ai punoi e veproi për çështjen kombëtare, duke punuar e duke luftuar pandalshëm, shkoi gjak e lak me armiqtë shovinistë shekullorë serbosllavë.
Nga sa u tha deri këtu, shihet qartë se monografia e autorëve Hamza Halabaku dhe Mujë S. Berisha, e emërtuar me titullin kuptimplotë, sinjalizues e shpjegues, në funksion të idealeve kombëtare: “NJË JETË NË MISION TË DIJES DHE TË IDEALEVE KOMBËTARE”, nuk ishte një punë as e lehtë dhe as e thjeshtë, nuk ishte as një përmbledhje a një regjistër faktesh e argumentesh me të cilët ndeshet dhe lufton protagonisti i tyre, Prof. Tahir Z. Berisha. Monografia në fjalë është një monument artistiko-letrar e historiko-shkencor, të cilin penda e dalta e dy bashkautorëve e gdhendi dhe e latoi, e gatoi dhe e brumoi, e renditi dhe e ngriti, e përpunoi dhe e lartësoi, duke vënë në spikamë durimin dhe guximin, aftësinë dhe mjeshtërinë, trimërinë dhe diplomacinë dhe artikulimet e vlerave fisnike dhe bujare të popullit të vet më të vjetër të Ballkanit. Tahir Z. Berisha pati guxim dhe reagoi në momente të caktuara, luftoi dhe mbrojti të drejtat e popullit të vet të pambrojtur, të shtypur e të përbuzur nga shovinistët e hegjemonistët serbomëdhenj monarkofashistë e deri te satrapi e kasapi i Ballkanit – Sllobodan Millosheviqi, i cili, si një xhelat sadist që vret e pret e kurrë nuk ngopet me krime e gjenocid të paparë në historinë e njerëzimit, jo vetëm ndaj popullit shqiptar, por ndaj të gjithë popujve liridashës.
Autorët, Hamza Halabaku e Mujë S. Berisha, i kuptuan drejt e qartë synimet e qëllimet e promotorit – Tahir Z. Berishës, sepse shkrimtari-shkrimtarin e artisti-artistin dhe mendimtari-mendimtarin e kuptojnë më së miri. Bashkautorët e kësaj monografie kanë analizuar dhe kanë studiuar, kanë ndriçuar e kanë zbërthyer në mënyrë të përkryer shpirtin arsimdashës e atdhedashës të Tahir Z. Berishës, shpirtin guximtar të shqiptarit tradicional “shiko sojin nga ka ardhë - dardha pikë nën dardhë”, që, sipas traditës e edukatës patriotike të babait Zeqë Vërbani, çdo shqiptar, në çdo kohë e në çdo rrezik, duhet t’i dalë zot popullit të vet e truallit atëror e stërgjyshor. Vetë Prof. Tahir Z. Berisha shpesh thoshte: “Çdo ngjarje që nuk shkruhet, nuk ruhet” ose “ajo që nuk shkruhet, nuk ka ndodhur”. Analogji me këtë si dialektolog, në ekspeditat e mia dialektologjike, më rastisi të dëgjoja nga një plak i zgjuar në Karadak: “Kujtesa është gjah, e shkrimi është kurth”. Ndaj, shikuar nga ky kënd: ashtu siç e zë kurthi gjahun, e nuk e lëshon të ikë dot, po ashtu edhe shkrimi e përjetëson kujtesën. E meqë Prof. Tahir Z. Berisha, ishte i vetëdijshëm për këtë, ai la vepra të shkruara, ditar shënimesh e dokumente, me të cilat bashkautorët, në shenjë nderimi e kujtimi, sajuan dhe hartuan një vepër madhore e monumentale, që përfaqëson një kryepërmendore kushtuar Prof. Tahir Z. Berishës, ku është përmbledhur e është shkrirë tërë jeta dhe veprimtaria jetësore e një vigani e kolosi dhe një korifeu të arsimit tonë kombëtar, i cili një jetë të tërë punoi e veproi në mision të dijes dhe të idealeve kombëtare. Ndaj, më së miri misionin e mësuesit si misionar arsimor e ka portretizuar shkrimtari Llazar Siliqi: “Edhe kur kokën do t’ua mbulojnë thinjat; në mend do sillni një emën nderues; emnin e bukur porsi fëminija; emnin e thjeshtë, por të madh MËSUES”.
Qoftë i përjetshëm kujtimi e nderimi për Prof. Tahir Z. Berishën!
Dhe u lumtë mendja e penda autorëve Hamza Halabakut dhe Mujë S. Berishës, që na dhuruan një vepër madhore e monumentale për korifeun e arsimit tonë kombëtar –Tahir Z. Berishën, të cilit i takon përjetësia në kujtesën e popullit dhe të atdheut të vet.
|