Showing posts with label Piktori i Vogel. Show all posts
Showing posts with label Piktori i Vogel. Show all posts

Thursday, 6 February 2014

Piktori i Vogël

Benit, kur ishte i vogël, iu kishte tekur të shkarraviste. Me disa vija të shtrembëra e pa kuptim i mbushte muret e dhomës. Shkarraviste edhe nëpër xhamat e dritareve, kur mjegulloheshin nga avulli i kuzhinës, ose kur ngrinin nga acari. Shkarraviste edhe nëpër pluhur e baltë dhe ku t'i tekej, po më të shumtën nëpër fletoret e motrës. Edhe librat s'i kursente. E shfrytëzonte rastin kur Shpresa nuk ishte në shtëpi dhe tinëz s'ëmës, shpejt e shpejt i mbushte fletët me vija të llojllojshme.

Shpresa sapo i hetonte sherret e vëllait, niste ta qortonte, por kur vërente se Beni kishte shkarravitur edhe nëpër libra, atëherë niste të qante. I dhimbseshin librat, po më shumë i vinte inat t'ia shihte mësuesja ashtu të vijëzuara. Edhe e ëma e qortonte për këto sherre, por Benit nuk i bënin përshtypje as lotët e motrës dhe as qortimet e s'ëmës. "Kam vizatuar" - arsyetohej shkurt. Kur e ëma e pyeste se ç'kishte vizatuar, Beni përsëriste me vendosmëri se kishte vizatuar. Pastaj i numëronte ato gjëra, nëpërmjet të të cilave shpaloste me vija imagjinatën e tij prej fëmije. E ëma atëherë s'duronte dot dhe ia niste të qeshte, e bashkë me të qeshte edhe Shpresa, se në ato "vizatime" të Benit nuk shihnin gjë tjetër, përpos ca vijave të bëra kryq e tërthor.

Sapo e nisi shkollën, Beni i ndërpreu ato shkarravinat e tij, ku mundte dhe ku ia donte qejfi. Tani atë botën e tij e ravijëzonte në fletoren e vizatimit. Qysh në punimet e para, mësuesit i ra në sy talenti i Benit. Edhe vetë ishte piktor, andaj shpresonte që me një përkushtim më të madh, mund t'i ndihmonte këtij piktori të vogël për të zhvilluar talentin në lëmin e pikturës.

Vërtet, sapo kalonin ditët, muajt dhe vitet, Beni përditë e më tepër po i përvetësonte këshillat e mësuesit për të hyrë në fshehtësitë e teknikës së pikturimit. Vizatimet e tij tanimë nuk ishin vetëm vija të imagjinuara, por u pasuruan në përmbajtje. Si të tilla, ato nisën të gjenin vend në mesin e punimeve më të mira të nxënësve të shkollës. Herë herë ndonjëra nga pikturat e tij botoheshin në faqet ose në ballinat e gazetave dhe të revistave për fëmijë. Frymëzimi i pikturave të Benit kryesisht ishte vendlindja e tij me tërë atë ngrohtësinë dhe koloritin e saj. Madje, diku kah fundi i klasës së katërt, me ndihmën e mësuesit, Beni hapi ekspozitën e parë të pavarur në shkollë, të quajtur "Motive vendlindjeje". Vizitorë të shumtë: nxënës, arsimtarë, prindër e të tjerë mahniteshin me punimet e këtij piktori të vogël.

Ngritjen e Benit horizonteve të pikturimit e ndërpreu lufta. Atë fundmarsi të '99-ës, e tërë Kosova ishte në flakë. Vendlindja e Benit e bërë shkrumb e hi. Zjarrvënësit, ca ushtarë me uniforma e maska të zeza s'e kursyen as shkollën. Bashkë me të tërat u dogjën edhe pikturat e Benit. Vendlindja i mbeti vetëm në kujtesë...

Në atë llahtari lufte, shumë njerëz u vranë e u masakruan. Disa u dogjën bashkë me shtëpitë e tyre. Edhe fëmijët s'u kursyen. Ata që shpëtuan ua mësynë maleve. Atje ku shpresonin se mund t'i shpëtonin zjarrit të luftës. Po ata zjarrvënësit, korba të zinj, u dolën përpara. Me kërcënime të armëve i detyruan të merrnin drejtimin e Fushë - Kosovës. Prej atje donin t'i deportonin në Maqedoni apo në dreq të mallkuar. Po, atje në Fushë - Kosovë po i priste ai treni ogurzi, e cili po e zbrazte Kosovën.

Edhe Beni me t'ëmën dhe të motrën, u gjetën në mesin e atyre njerëzve fatmjerë. Me ca plaçka në shpinë e me fëmijët përdore, e ëma e Benit, ashtu zemërthyer, po qante pa zë. Beni e Shpresa, me çantat në dorë, po ecnin si të nemitur. Edhe turma ishte e nemitur. Vetëm ndonjë zë foshnjeje ose fëmije të uritur, herë-herë e prishte qetëssinë e atij mëngjesi të përhitur.

Në stacionin hekurudhor ishte grumbulluar një mori njerëzish. Policë të shumtë po e ruanin turmën, të gatshëm që për çfarëdo kundërshtimi të përdornin shufra dhe armët. Në një moment Beni u shkëput prej duarve të s'ëmës. Deshi të pijë ujë te kroi. Një polic me sy të përgjakur e urdhëroi të zmbrapsej. Beni s'e kuptoi gjuhën e tij. Vazhdoi të ecë drejt kroit për të njomur buzët e bëra shkrumb. Polici e kapi për veshi. Deshi t'ia këpusë. E ëma vrapoi pas tij për ta shpëtuar. Polici i ra me shufër. Në atë rrëmujë, Benit i ra çanta nga dora. Një polic tjetër i mëshoi çantës me këmbë. Librat u shpërndanë. Bashkë me to, edhe ato pak piktura, të cilat i kishte shpëtuar nga djegia. Beni deshi t'i mbledhë, por polici i ra me shufër në dorë. Benit s'iu tremb syri. As dhembje s'ndjente. Librat e pikturat ishin dhembja e tij. Në ato momente erdhi treni. Turma lëvizi. Polici e la Benin për t'u marrë me turmën. Pastaj, sa çel e mbyll sytë, vagonët u mbushën me njerëz. Treni u nis në drejtim të jugut.

Beni me t'ëmën dhe të motrën u gjetën diku në vagonët e fundit. Po i zihej fryma nga ajo mori njerëzish të ngjeshur si sardelet. Ashtu i traumatizuar nga braktisja e vendlindjes dhe dhembja për librat dhe pikturat e mbetura në platonë e stacionit hekurudhor, ia nisi të dënesë. E ëma e mori ngrykë. Ngrohtësia e trupit të saj dhe lëkundjet e trenit, sikur e qetësuan. E kishte zënë gjumi. Një gjumë plot ëndrra të trishtueshme.

Beni u zgjua vetëm kur u ndal treni. Pastaj mbeti si i nemitur nga ai ferri i quajtur Bllacë. Tetë ditë e tetë net në shi e baltë. Nuk fliste fare. Nuk interesohej të hante e të pinte. Vetëm i shikonte tërë ata njerëz të sfilitur dhe shkarraviste mbi baltë. Njerëzit mendonin se mos kishte lajthitur. Jo. Ai me ato vijat mbi baltë po pikturonte vendlindjen. Nuk donte asnjë moment ta shqiste nga kujtesa.

[Mujë S. Berisha:“Piktori i Vogël”, Prishtinë, 2002, fq.12]

Friday, 3 January 2014

Piktori i Vogël (2002)


Muje S.Berisha: "Piktori i Vogel", 2002

Mujë S. Berisha

PIKTORI I VOGËL
Përmbledhje tregimesh për fëmijë

"Mbesave dhe nipave me dashuri, se më mbushin gëzim e lumturi"

SHTËPIA BOTUESE ROZAFA
PRISHTINË, 2002

Redaktor:
Sali Bashota

Recensues:
Rushit Ramabaja

Lektor:
Mehmet Gjevori

Ballina dhe ilustrimet:
Naxhije Pajaziti

Korrektore:
Violeta Berisha - Fejzullahu

Realizimi kompjuterik:
ARS Poetica
Ardiana Mehmeti - Bajrami

Tirazhi
500 copë

ISBN 9951-02-017-8




PËRMBAJTJA: Fq.
Lajmëtari i pranverës 5
Arbëri, Abetarja dhe shkronjat 9
Piktori i vogël 12
Beni dhe Goni 17
Shqetësim shpirtash të njomë 20
Dialogu i mbesave të mia 24
Krenaria 28
Beni dhe dhëmbi i qumështit 33
Receta kundër plakjes 35
Nënat dhe bijat 40
Luani dhe shkolla 45
Anduena nuk i do më përrallat 49
Tringeci mosmirënjohës 54
Dita e Flamurit 59
Vizatim i magjishëm i peizazhit të fëmijërisë 67
Shënime për autorin 70

* * *

"... Në universin artistik të librit të Mujë S.Berishës "PIKTORI I VOGËL" është vizatuar peizazhi i ëndrrës së fëmijës me një virgjëri dhe me një ngjyrim krejt të veçantë. Transponimi i suksesshëm i botës së më të vegjëlve, i matur mrekullisht me gjuhën dhe me irealen magjike të fëmijërisë, do ta bëjë këtë libër të afërt dhe të lexueshëm jo vetëm për brezat e tashëm të fëmijëve, ngaqë në radhë të parë, këtu çdo tregim do t'u ndihmojë atyre të rinjohin dhe të rizbulojnë pjesën më të bukur të ëndrrës së vet... Protagonistët e rrëfimeve të "PIKTORIT TË VOGËL", ndonëse lëvizin në një shenjë të caktuar kohe (ca nga ngjarjet janë vendosur në vitet nëntëdhjetë, ca të tjera pas luftës së mbramë në Kosovë), bartin, megjithatë, në vetvete dramën dhe veprimet e universializuara të heronjve të gjithëkohshëm dhe të gjithëvendshëm... Ndonëse libri "PIKTORI I VOGËL" është shkruar për fëmijë, mendimi artistik e filozofik këtu lëviz nëpër një sërë nënshtresash alegorike, që e fuqizojnë dhe e universalizojnë shqiptimin artistik... "PIKTORI I VOGËL" i Mujë S.Berishës, me gjuhën moderne të të rrëfyerit, me zgjedhjen e suksesshme të subjektit, me figurshmërinë, me stilin, me vizionin novator artistik, me notën e theksuar edukative dhe me një sërë veçantish të tjera, pa dyshim do të jetë një nga librat e rrallë për fëmijë, të botuar në dhjetëvjetshat e fundit..."
Rushit Ramabaja