Saturday 1 March 2014

Dhurata më e shtrenjtë

Nënë, nënokja ime!
Ç`të dhuroj për festën tënde?!
Dimër është, lule s`të zë syri.

Lule plastmase s`dua të të jap
Ato janë pa zemër, pa gjak.

Bija ime, zemra e nënës!
Vetëm një përqafim dua nga ti.
Eja më jep dhuratën më të shtrenjtë
O, të pastë nëna engjëllushe!
- - - - - - - - - -
[Mujë S. Berisha: "Dhurata më e shtrenjtë", Prishtinë, 2013, fq.35]

Ç' është dashuria

Dashuria është si fëmija
I do llokumet me arra
Dhe çokollatat me lajthia;

Dashuria është si lulja
Duhet kultivuar me kujdes
Dhe ruajtur me xhelozi;

Dashuria është si gjeraqina
Të rrëmben papritur
Dhe s` të lëshon nga kthetrat;

Dashuria është si ylberi
Ka shumë ngjyra
E zemrës është më e mira;

Dashuria është margaritar
Nuk blihet me para
S` peshohet me ar.
- - - - - - - - - -
[Mujë S. Berisha: "Dhurata më e shtrenjtë", Prishtinë, 2013, fq.59]

Mirëseardhje Shekullit të Ri

Lamtumirë mote të shkuara
Dhe ti Shekull i Njëzetë,
Vite t`mbara, vite t`prapa
Prehje gjetshi në muzetë!

Mirë se erdhe Shekull i Ri!
Në vatra tona sjellsh hare!
Sjellsh të mira e mbarësi!
Ja, po nis një epokë e re;

Jeta rrodhi stinëve tona
Dimra t`rëndë mbetën pas nesh,
Kohë të liga ikën, shkuan
Diell pranvera na buzëqesh;

Në hove pune, diturie
T'ecim para sa më shpejt,
Bota një, ne nga dy hapa
Njësh me botën në internet.
- - - - - - - - - -
Prishtinë, 2000

[Mujë S. Berisha: "Dhurata më e shtrenjtë", Prishtinë, 2013, fq.10]