Saturday 31 December 2016

Sundimtari i Ri dhe Kutia Magjike

Në një vend të largët e të çuditshëm, ku jeta matej me shekuj e mileniume, ishte vënë si rregull që mbretërit të sundonin nga njëqind vjet. As më shumë dhe as më pak. Dhe kjo traditë nuk u thye as gjatë ndërrimit të sundimtarit të fundit, kur po përmbyllej një milenium dhe po fillonte tjetri. Pas rrumbullak njëqind vjet sundimi, Shkëlqesia e tij, Llukeshi XX (kështu, me numra, sipas radhës, emërtoheshin të gjithë mbretërit e atij vendi), i plakur dhe i kërrusur nga barra e rëndë e moteve, më në fund, u detyrua t’ia lëshonte fronin trashëgimtarit të dinastisë mbretërore, Llukeshit XXI.

O sa u mallëngjye ky plakush në çastin kur zbriti nga froni, se prej aty menjëherë e dërguan në muzeun e historisë, atje ku e kishin vendin të gjithë sundimtarët qindvjeçarë të asaj dinastie. Lotët i shkonin çurg, sikur një çilimiu. Megjithëqë e dinte se s’kishte kthim prapa, assesi s’po mund të pajtohej t’i humbiste privilegjet dhe të mirat që i ofronte froni mbretëror dhe, aq më pak, ta humbiste fuqinë për të sunduar ashtu siç ia kishte dashur qejfi.

Njerëzve të atij vendi u vinte keq për lotët që po derdhte sundimtari i deridjeshëm, megjithëse asnjëherë nuk kishin pasur ndonjë simpati për të. Madje, mund të thuhet se më shumë e kishin urryer për mynxyrat që ua kishte sjellë. Megjithatë, në atë ceremonialin madhë-shtor të ndërrimit të sundimtarëve, të gjithë i pati kapluar një gëzimi i papërmbajtur. Gjithandej këndohej e vallëzohej, ngriheshin dolli, shkre-peshin fishekzjarrë të panumërt. Secili e shprehte gëzimin në mënyrë të vet. Edhe fëmijët ndërrimin e sundimtarëve e përjetuan si diçka të jashtë-zakonshme, si një festë të madhe, si një ngjarje që s’mund të harrohet kurrë.

Sapo e mori pushtetin, sundimtarit të ri filluan t’i arrinin telegrame urimi nga të gjitha anët e mbretërisë së tij. E përgëzonin për fronin e marrë, duke i uruar shëndet, punë të mbarë dhe shumëçka tjetër. Në një telegram urimi të një fëmije sundimtari i lexoi edhe këto fjalë: “Shkëlqesi! Bëhu i mirë dhe sundo drejt. Mos i harro dhe fëmijët. Ne kemi shumë dëshira, por ajo që është më kryesorja duam që të mos ketë dhunë dhe paqja të mbretërojë në gjithë vendin”. Këtë urim sundimtari e veçoi si të sinqertë, andaj urdhëroi që ta ruanin në arkivin e tij personal.

Sundimtarit të ri i arrinin edhe dhurata të llojllojshme: të çmuara e më të çmuara, të çuditshme e më të çuditshme, madje edhe sosh që të bënin për të qeshur. Të gjitha këto dhurata ia shtonin kërshërinë për t’i shikuar. Për ndonjërën nga to, e cila i dukej interesante, kërkonte të mësonte dhe vlerën praktike të saj. Një ditë i arriti një dhuratë e çuditshme. Ishte një si kukull palaço, e cila fliste qartë këto fjalë: “O Babambret, sundo drejt. Po u bëre punëve lak do të biesh në batak. Pastaj bashkë me bretkosat ditë e natë do të bësh kuak, kuak…”

Kur sundimtari i ri i dëgjoi këto fjalë, qeshi gjatë me loçkën e zemrës. Por, pastaj, kur kukulla palaço vazhdimisht i përsëriste të njëjtat fjalë, atëherë nisi të mendonte për porosinë e tyre. “Njerëzve çka nuk u bie ndër mend”, – i tha një këshilltari të tij. Megjithatë, urdhëroi që ta ruanin në koleksionin e dhuratave të dinastisë mbretërore.

Dhurata më e çmuar sundimtarit të ri i erdhi nga një inxhinier, i cili merrej me shpikje teknike. Ishte ky një aparat i çuditshëm, i quajtur “Kutia magjike”. Vetëm me një shtypje suste, në ekranin e tij mund të shihje dhe të mësoje gjëra interesante nga jeta dhe historia njerëzore, madje që nga humbëtirat e kohëve më të lashta. O sa u gëzua për këtë dhuratë të çmuar. “Do të më shërbejë shumë që të projektoj vizionin tim për të udhëhequr mbretërinë në njëqind vjetët e ardhshëm”, - i tha vetes me një admirim të papërmbajtur, ndërsa urdhëroi që projektuesit t’ia bënin një vend nderi në pallat si njeri shumë i nderuar.

Sundimtari i ri pa humbur kohë filloi të merrej me këtë kutinë magjike. Interesohej të mësonte për gjeografinë e mbretërisë aneskaj tërthoreve të saj, për njerëzit dhe jetën e tyre, kulturën, traditën e zakonet dhe për gjithçka tjetër. Në veçanti, interesohej të merrte njohuri për historinë e vendeve që nga lashtësia. Me net të tëra hulumtonte, hulumtonte... Ky bën pyetje, aparati përgjigju. Dikur koka iu ngarkua me njohuri të shumta nga të cilat nuk po mund të gjente qetësi. Sidomos e shqetësonte e kaluara e njerëzimit. Sa luftëra të pakuptimta ishin bërë dhe sa jetë të pafajshme ishin shuar. Miliona e miliona njerëz ishin bërë viktima vetëm për të kënaqur lakminë e sundimtarëve të pangopshëm për pushtet të pakufishëm, pasuri përrallore dhe famë zulmëmadhe.

Një ditë, gjersa në ekranin e “Kutisë magjike” po shikonte pamje tmerruese dhune e terrori, që s’i kap as mendja e njeriut, të një ushtrie sundimtari tiran, ndaj një populli të vogël, por liridashës, dhe, kur në këto pamje të trishtuara pa dhe vrasje e tortura fëmijësh, sundimtarit të ri iu kujtuan fjalët e atij vogëlushit: “Shkëlqesi! Bëhu i mirë e sundo drejt. Mos i harro dhe fëmijët. Ne kemi shumë dëshira, por ajo që është më kryesorja duam që të mos ketë dhunë dhe paqja të mbretërojë në gjithë vendin”. Nga ai çast vendosi: “Gjatë sundimit tim - tha - do të bëj çmos që kurrë më të mos ketë luftëra. Dua që njerëzit të jetojnë në liri, paqe dhe drejtësi. Posaçërisht do të kujdesem për fëmijët, që të çojnë jetë të lumtur dhe pa brenga. Pa fëmijë s’ka ardhmëni” - tha në fund dhe u betua se do t’u përmbahet këtyre idealeve.

Se a do t’i përmbahet betimit ky sundimtari i ri, do të tregojë koha. Mbretërit gjithmonë i ka hutuar lakmia dhe i ka dehur fama. Megjithatë, duhet shpresuar se një herë e përgjithmonë janë mbushur mend. Dëshmitare për të gjitha të bërat e të pabërat e tyre përsëri do të jetë “Kutia magjike”. Kujdes për ata që sundojnë botën! Veprat e mira shpërblehen. Tirania kurdoherë të hedh në batak bretkosash.


____________________
[Mujë S. Berisha: "Sundimtari i Ri dhe Kutia Magjike", "Faik Konica", Prishtinë, 2016, fq.31]

Rrezearta

Rrezearta, ajo sugaresha lazdrake e Diellit, i donte shumë lojërat me fëmijët. Sapo niste pranvera e deri në vjeshtën e vonë nuk ndahej nga moshatarët e vet. Zgjohej herët dhe, e mbushur përplot gëzim, i shoqëronte gjithandej: ndër kopshte, oborre e lëndina, ndër fusha e male, ndër liqene e dete dhe kudo që ishin. I shoqëronte dhe në foshnjore, në çerdhe e shkolla. Sidomos kishte dëshirë të lozte me fëmijët kur shkonin në verime. O, sa e kënaqte ajo loja aty, në bregdet, ku merrnin pjesë dhe valët kaltëroshe. Prej mëngjesit e deri në mbrëmje nuk i shqitej lojës me fëmijë. Vetëm nata dhe gjumi e ndanin nga ta. Mandej, në ato lojërat me Rrezeartën, fëmijët merrnin ngjyrën si të arit. Pastaj, kush mund t’i dallonte, se bëheshin njësh me të.

Fëmijët e donin shumë Rrezeartën se ua ngrohte zemrat dhe i mbushte plot hare. Mezi pritnin të zbardhte dita për t’u takuar me këtë vogëlushe rrezexhevahir. Dhe çdo ditë, që në agmi, gjithandej dëgjoheshin zëra ngazëllimi: Rrezearta, Rrezearta... Erdhi Rrezearta, shoqja jonë, motra jonë, drita jonë! Pastaj përqafime të ngrohta, lojëra, këngë e valle dhe gjithçka tjetër që e zbukuron jetën e fëmijëve. Kështu për çdo ditë deri në vjeshtën e vonë. Eh, sa i pashpirt u dukej ai Dimri, kur me re të dendura skëterrë e mjegullnaja mbulonte qiellin dhe Rrezearta s’dukej gjëkundi. Kjo ishte një ndarje e dhembshme, por i mbante shpresa se, kur të kthehej vera, do të takoheshin përsëri në bregdetin magjik.

Rrezearta mërzitej shumë kur ndahej nga fëmijët. I humbte ajo hareja që e bënte shumë simpatike dhe të dashur nga të gjithë. I humbte ai shkëlqimi rrezatues që të ngroh në shpirt. Mbyllej në vetvete sikur margaritari në guaskën e vet. Po kush mund ta ngushëllonte në atë fatkeqësi ndarjeje nga shoqëri fëmijësh? Kush mund t’ia qetësonte shpirtin e trazuar? Jo, askush, përveç Diellit të madhërishëm. Ai, si një prind i mirë, me urtinë e tij, e qetësonte të bijën duke i thënë se duhej të pushonte cazë për të marrë fuqi të reja; se në syrin e pranverës do t’i bënte pikë e pesë ato retë idhnake; se më e dashura e tij do t‘u bashkohej përsëri lojërave me fëmijë, kudo që të jenë ata. Dielli me fuqinë e tij, gati hyjnore, do të bënte gjithçka për Rrezeartën, madje dhe mrekulli. E donte shumë këtë sugareshën e hareshme, më shumë se çdo gjë tjetër dhe ia plotësonte çdo dëshirë.

Pastaj erdhi një mot, që mos u ktheftë kurrë. Rrezearta nuk u duk paksa më gjatë. Sugareshës së Dimrit, Rrezezezës, i vinte inat që fëmijët e donin më shumë atë bukuroshen e Diellit. Andaj, e luti të atin që të errësonte qiellin e ta bënte skëterrë në mënyrë që ajo, Rrezearta, të mos dukej gjëkundi. Dhe, vërtet, atij moti hapësirën qiellore e mbuluan re dhe mjegullnaja të dendura, madje dukej sikur nuk do të largoheshin kurrë.

Të gjithë i pati kapluar një trishtim nga ajo terrinë ogurzezë. Fëmijët, këto qenie të brishta, po tmerroheshin. Të gjithë po pyesnin se ç’e keqe do ta ketë gjetur Rrezeartën që s’po dukej gjëkundi. Dikush thoshte se ishte e sëmurë, të tjerë thoshin se mund të kishte shkuar në Mars për të lozur me fëmijët marsianë, por kishte zëra që thoshin se ajo ndoshta ishte rritur dhe më nuk i donte lojërat me fëmijët.

Mirëpo, të gjitha këto ishin vetëm thashe-theme se e vërteta ishte që Rrezearta digjej e përvëlohej për t’u takuar përsëri me fëmijët, kudo që ishin. Madje, njëherë, pa e pyetur të atin, Diellin, ishte lëshuar t’i depërtonte retë e të bashkohej me vogëlushët. Por kjo ishte vetëm një aventurë e rrezikshme e Rrezeartës, nga e cila për pak sa nuk e pësoi keq. Ajo kuçedra mjegullnajë gati sa nuk e përpiu. Dielli, kur e kuptoi këtë, u inatos aq shumë saqë i tëri mori zjarr, duke lëshuar rrezet më të fuqishme që shponin mjegullnajën tej më tej, duke e bërë copë e grimë. Pastaj qielli u çel i tëri, sikur të mos kishte ekzistuar kurrë mjegullnajë.

O, sa u gëzua Rrezearta, kur u takua sërishmi me fëmijët. Përqafime e përqafime. Lojëra e lojëra. Këngë e valle. Fëmijët gati sa s’fluturonin nga gëzimi. Gjithandej jehonin zëra vogëlushësh: Rrezearta, Rrezearta… Erdhi Rrezearta, shoqja jonë, motra jonë, drita jonë.


____________________
[Mujë S. Berisha: "Sundimtari i Ri dhe Kutia Magjike", "Faik Konica", Prishtinë, 2016, fq.5]

Sundimtari i Ri dhe Kutia Magjike (2016)



Mujë S. Berisha

SUNDIMTARI I RI DHE KUTIA MAGJIKE
Përmbledhje tregimesh për fëmijë

“Në kujtim të axhëve të mi - Gani, Tahir dhe Xhavit Z. Berisha, veteranë të arsimit, me ndjenjën e dashurisë, respektit dhe krenarisë së përjetshme.”

Shtëpia Botuese
FAIK KONICA
PRISHTINË, 2016

Redaktor:
Nazmi Rrahmani

Recensentë:
Prof. Dr. Sc. Faik Shkodra
Ramadan Musliu

Lektor:
Sulejman Dërmaku

Korrektor:
Gazmend T. Berisha

Realizimi kompjuterik:
Gazmend T. Berisha

Ballina dhe Ilustrimet:
Gazmend T. Berisha

U shtyp në shtypshkronjën:
PROGRAF-Prishtinë

Tirazhi:
500 copë

Katalogimi në botim - (CIP)
Biblioteka Kombëtare e Kosovës "Pjetër Bogdani"
821.18-93-32

ISBN 978-9951-06-573-3

PËRMBAJTJA: Fq.


Rrezearta 5
Me fat klasa e parë, Arbër Sokoli 9
Rrushja, kompozitori dhe kënga 15
Biblioteka e harruar 19
Bliri, zogu dhe unë 27
Sundimtari i ri dhe kutia magjike 31
Gjaku nuk është ujë 37
Paraja e vjetër 41
Gëzimi i gjyshërve 49
Kumritë dhe laraskat 53
Hamiti 59
Tregimi për Gesin dhe lodrat e tij 65
Djaloshi që mblidhte kënaçe e këndonte 69
Ketrit lazdrakë 79
Rrëfimi për Balashin 83
Tregimi për Pegazin 87
Bishtcubeli 93
Kali, gomari dhe atkina 99
Si u përjashtua Korbi nga kori i shpendëve 101

* * *

TREGIME ME ARRITJE ARTISTIKE, EDUKATIVE DHE ARSIMORE PËR FËMIJË

Mujë S. Berisha në vëllimin më të ri me tregime “Sundimtari i ri dhe kutia magjike” (20 tregime), të cilat vijnë nga motive nga më të ndryshmet që lidhen me botën e fëmijëve dhe mjedisin në të cilin jetojnë, zhvillohen dhe formohen si qenie të reja – formim që lidhet me përgatitjen e tyre për të përballuar situata të vështira jetësore. Shtrirjet kompozicionale dhe mozaiku i ngjarjeve nga autori janë dhënë me kriter arti e me përjetime shpirtërore artistike, ku elementet e bollshme didaktike, edukative, argëtuese e njohëse, si dhe bashkëbisedimi i gjallë ndërmjet fëmijëve e të rriturve – bëjnë që tregimet të lexohen me endje e kënaqësi shpirtërore. Nga përmbajtja e tregimeve lexuesi kupton fantazinë e ndezur të fëmijëve dhe falë kësaj fantazie arrin të zhbirojë atje ku nuk do të shkojë mendja e të rriturve... Tregimet përshkohen me ide, mesazhe, imazhe e detaje, si dhe me mjete shprehëse artistike të cilat përcillen te fëmijët përmes shembujve konkret në bisedat e gjalla midis personazheve, duke ruajtur njëkohësisht unitetin ideo-artistik të tregimeve. Bisedat e tilla me fëmijët dhe ballafaqimi i tyre me zhvillimet e ngjarjeve shtojnë vlerat ideo-edukative dhe ideo-artistike... Njohja e proceseve psikike, e jetës së fëmijëve si dhe e kategorive estetike, si: së bukurës, së shëmtuarës, së ulëtës dhe së madhërishmes; të menduarit krijues, imagjinatën e bujshme, të folurit dhe karakteret e fëmijëve – të gjitha këto vënë në dijeni se autori në tregime i është përmbajtur kriterit filozofik, që lidhet me motive fëmijërore, se “Përvetësimi estetik i realitetit është jo vetëm proces i pasqyrimit të realitetit (njohjes konkrete të botës reale të fëmijëve), por njëkohësisht edhe proces i vlerësimit estetik të tij”...
Prof. Dr. Sc. Faik Shkodra