Thursday 6 February 2014

Piktori i Vogël

Benit, kur ishte i vogël, iu kishte tekur të shkarraviste. Me disa vija të shtrembëra e pa kuptim i mbushte muret e dhomës. Shkarraviste edhe nëpër xhamat e dritareve, kur mjegulloheshin nga avulli i kuzhinës, ose kur ngrinin nga acari. Shkarraviste edhe nëpër pluhur e baltë dhe ku t'i tekej, po më të shumtën nëpër fletoret e motrës. Edhe librat s'i kursente. E shfrytëzonte rastin kur Shpresa nuk ishte në shtëpi dhe tinëz s'ëmës, shpejt e shpejt i mbushte fletët me vija të llojllojshme.

Shpresa sapo i hetonte sherret e vëllait, niste ta qortonte, por kur vërente se Beni kishte shkarravitur edhe nëpër libra, atëherë niste të qante. I dhimbseshin librat, po më shumë i vinte inat t'ia shihte mësuesja ashtu të vijëzuara. Edhe e ëma e qortonte për këto sherre, por Benit nuk i bënin përshtypje as lotët e motrës dhe as qortimet e s'ëmës. "Kam vizatuar" - arsyetohej shkurt. Kur e ëma e pyeste se ç'kishte vizatuar, Beni përsëriste me vendosmëri se kishte vizatuar. Pastaj i numëronte ato gjëra, nëpërmjet të të cilave shpaloste me vija imagjinatën e tij prej fëmije. E ëma atëherë s'duronte dot dhe ia niste të qeshte, e bashkë me të qeshte edhe Shpresa, se në ato "vizatime" të Benit nuk shihnin gjë tjetër, përpos ca vijave të bëra kryq e tërthor.

Sapo e nisi shkollën, Beni i ndërpreu ato shkarravinat e tij, ku mundte dhe ku ia donte qejfi. Tani atë botën e tij e ravijëzonte në fletoren e vizatimit. Qysh në punimet e para, mësuesit i ra në sy talenti i Benit. Edhe vetë ishte piktor, andaj shpresonte që me një përkushtim më të madh, mund t'i ndihmonte këtij piktori të vogël për të zhvilluar talentin në lëmin e pikturës.

Vërtet, sapo kalonin ditët, muajt dhe vitet, Beni përditë e më tepër po i përvetësonte këshillat e mësuesit për të hyrë në fshehtësitë e teknikës së pikturimit. Vizatimet e tij tanimë nuk ishin vetëm vija të imagjinuara, por u pasuruan në përmbajtje. Si të tilla, ato nisën të gjenin vend në mesin e punimeve më të mira të nxënësve të shkollës. Herë herë ndonjëra nga pikturat e tij botoheshin në faqet ose në ballinat e gazetave dhe të revistave për fëmijë. Frymëzimi i pikturave të Benit kryesisht ishte vendlindja e tij me tërë atë ngrohtësinë dhe koloritin e saj. Madje, diku kah fundi i klasës së katërt, me ndihmën e mësuesit, Beni hapi ekspozitën e parë të pavarur në shkollë, të quajtur "Motive vendlindjeje". Vizitorë të shumtë: nxënës, arsimtarë, prindër e të tjerë mahniteshin me punimet e këtij piktori të vogël.

Ngritjen e Benit horizonteve të pikturimit e ndërpreu lufta. Atë fundmarsi të '99-ës, e tërë Kosova ishte në flakë. Vendlindja e Benit e bërë shkrumb e hi. Zjarrvënësit, ca ushtarë me uniforma e maska të zeza s'e kursyen as shkollën. Bashkë me të tërat u dogjën edhe pikturat e Benit. Vendlindja i mbeti vetëm në kujtesë...

Në atë llahtari lufte, shumë njerëz u vranë e u masakruan. Disa u dogjën bashkë me shtëpitë e tyre. Edhe fëmijët s'u kursyen. Ata që shpëtuan ua mësynë maleve. Atje ku shpresonin se mund t'i shpëtonin zjarrit të luftës. Po ata zjarrvënësit, korba të zinj, u dolën përpara. Me kërcënime të armëve i detyruan të merrnin drejtimin e Fushë - Kosovës. Prej atje donin t'i deportonin në Maqedoni apo në dreq të mallkuar. Po, atje në Fushë - Kosovë po i priste ai treni ogurzi, e cili po e zbrazte Kosovën.

Edhe Beni me t'ëmën dhe të motrën, u gjetën në mesin e atyre njerëzve fatmjerë. Me ca plaçka në shpinë e me fëmijët përdore, e ëma e Benit, ashtu zemërthyer, po qante pa zë. Beni e Shpresa, me çantat në dorë, po ecnin si të nemitur. Edhe turma ishte e nemitur. Vetëm ndonjë zë foshnjeje ose fëmije të uritur, herë-herë e prishte qetëssinë e atij mëngjesi të përhitur.

Në stacionin hekurudhor ishte grumbulluar një mori njerëzish. Policë të shumtë po e ruanin turmën, të gatshëm që për çfarëdo kundërshtimi të përdornin shufra dhe armët. Në një moment Beni u shkëput prej duarve të s'ëmës. Deshi të pijë ujë te kroi. Një polic me sy të përgjakur e urdhëroi të zmbrapsej. Beni s'e kuptoi gjuhën e tij. Vazhdoi të ecë drejt kroit për të njomur buzët e bëra shkrumb. Polici e kapi për veshi. Deshi t'ia këpusë. E ëma vrapoi pas tij për ta shpëtuar. Polici i ra me shufër. Në atë rrëmujë, Benit i ra çanta nga dora. Një polic tjetër i mëshoi çantës me këmbë. Librat u shpërndanë. Bashkë me to, edhe ato pak piktura, të cilat i kishte shpëtuar nga djegia. Beni deshi t'i mbledhë, por polici i ra me shufër në dorë. Benit s'iu tremb syri. As dhembje s'ndjente. Librat e pikturat ishin dhembja e tij. Në ato momente erdhi treni. Turma lëvizi. Polici e la Benin për t'u marrë me turmën. Pastaj, sa çel e mbyll sytë, vagonët u mbushën me njerëz. Treni u nis në drejtim të jugut.

Beni me t'ëmën dhe të motrën u gjetën diku në vagonët e fundit. Po i zihej fryma nga ajo mori njerëzish të ngjeshur si sardelet. Ashtu i traumatizuar nga braktisja e vendlindjes dhe dhembja për librat dhe pikturat e mbetura në platonë e stacionit hekurudhor, ia nisi të dënesë. E ëma e mori ngrykë. Ngrohtësia e trupit të saj dhe lëkundjet e trenit, sikur e qetësuan. E kishte zënë gjumi. Një gjumë plot ëndrra të trishtueshme.

Beni u zgjua vetëm kur u ndal treni. Pastaj mbeti si i nemitur nga ai ferri i quajtur Bllacë. Tetë ditë e tetë net në shi e baltë. Nuk fliste fare. Nuk interesohej të hante e të pinte. Vetëm i shikonte tërë ata njerëz të sfilitur dhe shkarraviste mbi baltë. Njerëzit mendonin se mos kishte lajthitur. Jo. Ai me ato vijat mbi baltë po pikturonte vendlindjen. Nuk donte asnjë moment ta shqiste nga kujtesa.

[Mujë S. Berisha:“Piktori i Vogël”, Prishtinë, 2002, fq.12]

Wednesday 5 February 2014

Fëmija dhe Peshku i Vogël

Fëmija lëshoi grepin në det
Donte peshk të hante për drekë.

Peshkth i uritur përpiu karremin
Fëmija shpejt mbështolli kalemin.

N'syprinë u duk i vogli peshk
I frikësuar i tha vogëlushit Çesk:

- Më lësho të lutem, t'jetoj dhe pak
Pastaj kur të rritem më ze prapë!

Fëmijës iu dhimbs peshk i ngratë
Lehtë hoqi grepin, mos t'i rrjedh gjak.

Peshku falënderoi fëmijën shumë
Dhe i gëzuar kërceu n'ujë - bëlldum.

Pastaj doli përsëri n'syprinë
Peshkatarit i la porosinë:

- Nëse e lëshon grepin sërish në valë,
Jam mbushur mend, s'gaboj or djalë.

Fëmija i gëzuar që shpëtoi jetë
Mbeti pa peshk, po në shpirt i qetë.

(1997)

[Mujë S. Berisha:“Kalorës Kaltërsie”, Prishtinë, 2000, fq.58]

Ujku e Qengji

Ujk' i plagosur qimen ndërroi
Nga gjakpirësi u bë urtak,
Me qengjin marrëveshje bëri
Të mos i kërkojë më hak.

Ujku - qengjit:
Ti pije ujë në fund të lumit
Unë shuaja etjen te burimi,
Ujin kurrë s'ma turbullove
Për urti jepet shpërblimi.

Ma shtrij dorën e pajtimit
T'i lëmë zënkat përgjithmonë,
Tash e tutje të bëhemi miq
Qengjat e tu lirisht t'lodrojnë.

Ujku me vete:
Veç një gjë s'duhet harruar
Se jam ujk, s'mund bëhem tjetër,
Sa t'shëroj plagët e trupit
Do ta vazhdoj zejen e vjetër.

(1998)

[Mujë S. Berisha:“Kalorës Kaltërsie”, Prishtinë, 2000, fq.57]

Dëshira e Benit

Beni shkoi n'det
Me prindërit e vet
Dhe me gjyshën Tabë
Të mësojë ndonjë përrallë.

Atje në Tivar
Pa shumë marinarë
Të gjithë me uniforma
Me kapela me fjonga.

Aty i lindi një dëshirë
Të bëhet dhe ai i tillë
T'lundrojë nëpër det
Me shokët e vet.

Ta shohë Adriatikun
Ta kalojë Atlantikun
Ta shohë dhe peshkaqenin,
I cili e frikëson Benin.

Të shkojë gjer në Nju-Jork
Të hyjë në Ist River
Të flasë për çarmatimin
Të luftojë kolonializmin
Të mbrojë dhe palestinezët
Të kërkojë paqe për njerëzit.

(1987)

[Mujë S. Berisha:“Kalorës Kaltërsie”, Prishtinë, 2000, fq.53]

Si U Njoha Me Pionerin

(Shkruar në pesëdhjetëvjetorin e daljes së "Pionerit" - revistë letrare për fëmijë.)

Më kujtohet ishte shtator
Kur mësuesi na tha:
- "Pioneri" erdhi në shkollë.

E pyeta mësuesin pa djallëzi:
Si duket ai Pioneri
Burrë i vjetër, djalë i ri?!

Qeshi mësuesi me lezet
Pastaj nga çanta e nxori
Të bukur një gazetë.

- Ja, ky është "Pioneri"
Shok i juaj, o fëmijë
Ju sjell tregime, poezi...

E shikova me kërshëri
E lexova fletë për fletë
Ma mbushi zemrën dashuri.

Dhe e bëra të ngushtë shok
Asnjëherë pa u ndarë
Dhe u rrita me të tok.

Prishtinë, 20.12.1997

[Mujë S. Berisha:“Kalorës Kaltërsie”, Prishtinë, 2000, fq.52]

Ti Vogëlush Dhe Deti

Vera është e nxehtë
Dielli të përcëllon,
Mbi syprinë të detit
Ti vogëlush noton.

Deti t'puth në faqe
Në syçka, në ballë,
Lehtë të gudulisë
Me pikat stërkalë.

Deti të miklon
Me valë si biluri,
Dielli të praron
Me rreze purpuri.

Rrezitesh, noton
Buzëdetit anekënd,
Prej plazhit t'Ulqinit
Deri në Sarandë.

Gjithandej shtegton
Brigjeve t'Ilirisë,
Me mijëra dëshira
N'ëndrra t'ardhmënisë.

[Mujë S. Berisha:“Kalorës Kaltërsie”, Prishtinë, 2000, fq.44]

Drejt Shtigjeve Burim Drite

Gushti iku bashkë me vapën
Shtatori erdhi me freski,
Drejt shtigjeve burim drite
Vogëlushët nisen me agmi.

Hapërojnë andej nga shkolla
Nga gëzimi nuri u qesh,
Me çantën plot libra ngjeshur
Krenari është shkollar të jesh.

Yllka, fatose, fatosa
Nxënës të zë syri shumë,
Flutura të lehta si era
Drejt dritës vërshojnë s'i lumë.

Shkolla nga larg u buzëqesh
Krahëhapur i prit n'qafim,
Shtatori i ktheu gjallërinë
Pa fëmijë jeta ska gëzim.

[Mujë S. Berisha:“Kalorës Kaltërsie”, Prishtinë, 2000, fq.36]

Zjarr Dashurie Na Mban Në Jetë

(ose dialog me ata që i dua dhe më duan)

Unë: Ju dua, o prindër, mbi çdo gjë tjetër,
Ata: Lum për ty bir, ti gëzim i jetës!
Unë: Ty dada Artë n'zemër të mbaj,
Ajo: Gim, xhan, o vëlla, loçka e motrës!
Unë: Arbër, o yll, ti rrita ime!
Ai: Krah më ke Bacë, i yti jam!
Unë: Goni, o Goni më i miri shok!
Ai: S'të ndaj nga zemra se rritemi tok.
Unë: Dard(h)ane imja, dashuri hirplotë!
Ajo: Me afsh të dua, zemra ma thotë!
Unë: Dhe ti Moll(e)Kuqe mendjen ma tretë,
Ajo: Zjarr dashurie na mban në jetë.

(1999)

[Mujë S. Berisha:“Kalorës Kaltërsie”, Prishtinë, 2000, fq.35]

Pa Ty Jeta S'ka Kuptim

(Blinës, mbesës në mërgim)

Ti je njomëzake
Lastar blinaje
Lule Balsami
Që shëron plagoma;
Ti Blinë e gjyshit
Bukuroshe e gjyshes
Për ty na djeg malli;
Kthehu dallëndyshe
Në çerdhen e ngrohtë!
Eja na fresko!
Gëzueshëm cicëro!
Lirshëm fluturo!
Të presim çdo pranverë
T'na vish shend e verë
Të na sjellësh gëzim
Pa ty jeta s'ka kuptim.

[Mujë S. Berisha:“Kalorës Kaltërsie”, Prishtinë, 2000, fq.34]

Dy Puthje Dhuratë

Në ditëlindjen e dhjetë,
Për çudinë e Benit,
Babai ia ngrehu veshët
N'vend se t'i jepte dhuratë
Të shijshme - një çokollatë;
Dhe e ngrehu përpjetë,
Diç mbi kokën e tij,
Pastaj e lëshoi lehtë:
- U rritsh si lis, o Beni! - i tha
Dhe e puthi në ballë;
- U rritsh më i madh se babi, zemër!
E uroi e ëma dhe e puthi në faqe.
Beni e shikoi babanë:
Ta arrijë iu duk i madh;
Babi e shikoi Benin:
- Do t'ma kalojë, - i tha i lumtur.
Edhe Beni, atë ditë, ishte i lumtur
Që mori dy puthje dhuratë,
Nga më të dashurit e tij
Dhe harroi veshët e skuqur
E të shijshmën çokollatë.

(1998)

[Mujë S. Berisha:“Kalorës Kaltërsie”, Prishtinë, 2000, fq.32]

Modestia e Skënderbeut

Kur Skënderbeu u kthye në Krujë
Erdhi qetas, pa zhurmë e pa bujë,
Me treqind kalorës dhe me një ferman
Shpejt e mori Krujën trimi kapedan,
Pastaj anembanë Gjergji dha kushtrimin:
T'bashkohemi, o burra, të marrim vendimin!
N'Kuvendin e Lezhës të lidhemi në besë
Kush e do lirinë të rrojë a të vdesë!
Nga shkrepa të larta, maja t'Ilirisë
U lëshuan si ortiqe djemtë e Shqipërisë:
Gjergj Arianiti, Andrea Topia,
Theodor Muzaka, Lekë Zaharia
Dhe bujarë të tjerë, trima luftëtarë
E zgjodhën Skënderin komandant të parë,
- Të na prijsh, o Gjergj! - i thanë me një zë
Të shporrim nga dheu sulltanë, padishahë,
Të na prijsh, o Gjergj, ti për jetë e mot
Shqipëria jonë të mos jetë pa zot.
Dhe u priu Gjergji n'beteja me turkun
Nga atdhe i shqipeve u pastrua vrugu,
U çlirua vendi nga pranga t'robërisë
U zdrit Shqipëria me rreze t'(I)lirisë,
- Të na rrosh, o Gjergj, trim o Skënderbe!
Që lirinë na e sollë në tonin atdhe!
- Lirinë nuk ua solla, në mes jush e gjeta,
- Të na rrosh, o Gjergj, deri sa t'jetë jeta!

(1999)

[Mujë S. Berisha:“Kalorës Kaltërsie”, Prishtinë, 2000, fq.30]

Mos Harro Kosovë

Ndër luftëra u poqe, u dogje
Kosovë kreshnike, trimëreshë,
Krenare qëndrove, s'u mposhte
Moj sokoleshë!

Nga hiri u ngrite, u rrite
Hije të paska e lirë të jesh,
Kosovë fanare, ti rreze drite
Moj sokoleshë!

Ditët e hidhura ti mos harro
Kosovë, o trime, emër me peshë,
Fortesë graniti prore qëndro
Moj sokoleshë!

Lulëzo Kosovë, vend begatie
Armë diturie n'liri ti ngjesh,
Ti mbesë dardane, bijë Shqipërie
Moj Sokoleshë!

(2000)

[Mujë S. Berisha:“Kalorës Kaltërsie”, Prishtinë, 2000, fq.28]

Kur Vjen Ti, Liri Kosove

Kur vjen ti, liri Kosove
Je aguliçe, lulëkuqe je,
Agmi drite e ditës së re
Diell pranveror, rrezore;

Je stoli Trepçe, filigran ari
Bukuri Tanushe, je vetë hirësia,
Ajër, ujë, bukë e kripë
Vetë jeta je, ardhmëria;

Je sogjetare n'tokën Dardane
Shqiponjë që lirshëm flatron
Fushave, bregoreve, majë malesh
Flamur kuqezi që kudo vigjilon;

Je shkëmb graniti, ti lirijona
Fort do të mbahemi për ty,
Do të të ruajmë si dritë syri
Të mos verbërohemi përsëri.

(1999)

[Mujë S. Berisha:“Kalorës Kaltërsie”, Prishtinë, 2000, fq.25]

Tuesday 4 February 2014

Kalorës Kaltërsie

Vog'lush Beni sypetriti
Mendjen përplot fantazi,
Dëshiron t'i hipë raketës
T'ngjitet lart në gjithësi.

N'atë sfond të kaltër kupor
Si shqipet të fluturojë,
Do ta prek diellin me dorë
Nga lartësitë të sogjetojë.

T'i hipë dhe hënës së re
Asaj si nuse hirplotës,
Stolisur me rreze dielli
N'rrugëtimin e saj rreth botës.

Ta kapë atë Yll Mëngjesi
Në ballë ta vë xixëllim,
Natën ta bëjë si ditën
Errësira i sjell trishtim.

T'i hipë Qerres së Madhe
I vogël nuk do të mbesë,
T'shetisë kaltërsish t'qiellit
T'i fshijë retë me fshesë.

Do Beni dhe çfarë nuk do
N'atë të tijen fantazi,
Dëshiron t'u ngjitet majave
Ky kalorësi çilimi.

(1997)

[Mujë S. Berisha:“Kalorës Kaltërsie”, Prishtinë, 2000, fq.21]

Shkronjat Shqipe

Vasha të bukura, të gjuhës motra
Bija të urta të një nëne,
ABECE... që hapin porta
Shqipet tona, magji zane.

Horizonte të dijes çelin
Lërojnë gjuhën, thellë, hulli
Rreze drite gjithkah mbjellin
Kanë një rrënjë, një histori.

Ca të zëshme si gërneta
Ca të heshtura s'ndihen hiç,
Armë të mprehta porsi heshta
Kur godasin mbi armiq.

Vasha t'hirshme, vallëzojnë
Të stolisura me kordele,
Vogëlushet kur i shqiptojnë
Janë shqerka, karamele.

(2000)

[Mujë S. Berisha:“Kalorës Kaltërsie”, Prishtinë, 2000, fq.17]

Ky Flamur

Është një cohë - pëlhurë e shenjtë,
Fushë e kuqe - shkabë e zezë,
Është i lashtë sa Skënderbeu,
I këtij qielli i këtij dheu
Ky FLAMUR!

Djep' i tij është në Krujë
Ku qe zot dhe Kryetrimi,
Aty u ngrit dhe mori famë
Ky simbol - kjo shenjë me namë
Ky FLAMUR!

U qëndroi rrebesh furtunash
I pamposhtur asnjëherë,
Shumë njerëz trima ranë dhe fli
I frymëzoi për liri
Ky FLAMUR!

Dhe kur erdhi Ditë e Madhe
Kryelart u ngrit në Vlorë,
Nga Ismaili - Plak i Ri
Nga Isaja me shokë të tij
Ky FLAMUR!

Kush është trim dhe bir shqiptari
Si n'Kosovë e në Çamëri,
Si në tonën Nëne Shqipëri
I bën nder i jep fuqi
Ky FLAMUR KUQEZI!

(1996)

[Mujë S. Berisha:“Kalorës Kaltërsie”, Prishtinë, 2000, fq.12]

Atdheu

Beni im ti je i vogël
Të kuptosh se ç'është atdheu,
Sa e çmuar është liria
Ç'bëri për të Skënderbeu.

Pse Kosova sot përflaket
Pse Shqipëria më dysh u nda,
Je i vogël, ti o Beni!
Të kuptosh gjëra të mëdha.
Për atdhe e di shtëpinë
Xhan i babit ku më rritesh,
Djepin ku t'përkundi mami
Ku bën hapa, kah çapitesh.

Po ti rritesh, atdheu t'rritet
Si rrethore n'flatrim shqipesh,
Kapton fusha, male, shkrepa
Si rrezore të fanitet.

Në çdo skaj të ngroh atdheu
Për të zemra t'rrah me gëzim,
Aty veten e ndjen të lirë
Sikur shqipet n'fluturim.

Ben, o xhan, ti je i vogël
Për atdheun pakëz di,
Po ti rritesh edhe mëson
Një atdhe ke, një Shqipëri.

(1999)

[Mujë S. Berisha:“Kalorës Kaltërsie”, Prishtinë, 2000, fq.11]

Ishte Dikur Një Shtëpi

Ishte dikur një shtëpi,
Çerdhe e ngrohtë e fëmijërisë,
Pallat ëndërrash djaloshare
Kullë qëndrese e fisit tonë.

Aty së pari çava terrin,
Prisha qetësinë e mëngjesit,
Bëra edhe ca çapkënëri të tjera,
Por, meqë isha djalë dëshiri
Prindërit u gëzuan shumë atë ditë
Dhe fare s'më qortuan,
Por, më bekuan dhe pagëzuan
Me një emër kreshniku,
Ndoshta për ta mundur bajlozin e zi.

Dhe tani, kur shtëpia e lindjes
Pas shumë vjet qëndrese shkoi në muze,
Ndërsa vendin e saj e zuri shtëpia e re,
Mua më mbeti vegim kujtimi për të
Dhe për femijërinë e lumtur që më iku shpejt.

(1996)

[Mujë S. Berisha:“Kalorës Kaltërsie”, Prishtinë, 2000, fq.10]

Monday 3 February 2014

Këngë Për Zeqë Vërbanin


Demir Krasniqi, u lind më 1950 në Tugjec të Malësisë së Gollakut (Kamenicë). Shkollën fillore e kreu në vendlindje, Shkollën e Mesme të Muzikës në Prishtinë dhe u regjistrua në Shkollën e Lartë të Muzikës, por për shkaqe ekonomike nuk arriti që ta mbarojë. Ndërkohë u diplomua në dy degë të gazetarisë (Radio-gazetari dhe gazetari hulumtuese) në Universitetin e Gazetarisë Norvegjeze dhe në Universitetin e Gazetarisë Kanadeze.

Si arsimtar i kulturës muzikore, ka punuar në shumë shkolla fillore dhe të mesme, por është marrë edhe me gazetari në radio e televizion. Është i njohur dhe mjaft i popullarizuar, sidomos në Anamoravë si rapsod edhe interpret i muzikës popullore, krijues i këngëve në frymën e melosit tradicional popullor dhe kultivues i parodive, humorit dhe satirës popullore.

Është pjesëmarrës i dhjetra festivaleve kombëtare dhe ndërkombëtare, publikues i shumë disqeve të gramafonit dhe i mbi 70 albumeve të këngëve dhe muzikës popullore shqiptare. Demiri është autor i mbi dy mijë këngëve dhe valleve origjinale dhe mbledhës i mbi 4000 këngëve të ndryshme popullore. Deri më tash i ka botuar këto vepra:

1. "Mallëngjime dhe oshtima", Prishtinë, 1993;
2. "Qamili i Vogël - zë që nuk shuhet", Prishtinë, 1995;
3. "Gjakon Kosova", Gjilan, 1998;
4. "Këngë krismash lirie", Gjilan, 2000;
5. "Bejtë Pireva", Gjilan, 2002;
6. "Zeqir Maroca", Gjilan, 2002;
7. "Këngë krismash lirie", II, Gjilan, 2003;
8. "Familja Kurti nga Tugjeci", Gjilan, 2003.

Në dorëshkrim i ka të gatshme edhe shumë vepra të tjera që presin botimin.

Demir Krasniqi jeton dhe vepron në Gjilan.

Në shoqëri me Demir Krasniqin
(i pari nga e djathta)


ZEQË VËRBANI
rapsodi

N'dorë e mora çiftelinë,
Ta shpaloj pak historinë.
Ta këndoj nji trim shqiptar -
Zeqë Vërbanin, atdhetar!

Zeqë Vërbani, si kreshnik -
Ka nxanë Grykën n'Kaçanik,
Dërgut(1) pashës i ka dalë n'pritë,
Nji ushtri e kanë koritë!

Po ban Pasha: "Mjeri unë,i mjeri,
Me këta trima nuk koka seri!"
Idriz Seferi e Zeqë Vërbani -
Qesi trimash i don vatani!...

Këta kreshnikë prej Karadaku -
S'po i trembë topi, s'po i trembë gjaku!...
Le e rritë mbi kreshta t'gurit -
Kokan loza e Bajram Currit!"

Zeqë Vërbani në rreth t'Vitisë -
Karrshillak po i banë Serbisë!
Nuk duron çetnikë, komitë,
N'dru , Stojanin, e ka llomitë(2)!

Zeqë Vërbanin, atë zog shqiptari -
S'e trembë serbi,as bullgari!(3)
S'e trembë Krajli i Serbisë,
Jo, as Cari i Rusisë!...

Po kjanë Krajli, n'Beligrat:
"Nji shqiptar, s'po m'le rehat!
N'telegram(4), po m'proteston -
Për AGRAR, po m'kundërshton!"...

Se n'Gjilan, Krajli ka ardhë -
Zeqë Vërbani, i del për ballë:
"Ty, bre, Krajl, po t'shoh budallë,
Këto zullume, pse s'po i ndalë!
Ti, more, Krajl, keq po gabon,
Qysh po bjenë n'Kosovë, kolonë!
N'vend me i hapë shkollat shqiptare -
Po zbaton REFORMË AGRARE!...
Tokat tona me TAPI -
Ja u jepë serbëve e Malit t'Zi!
Po i bjen serbë e malazezë -
Kjo REFORMË, të qoftë e zezë!"...

Kështu thotë faqja e historisë -
Kurrë zullumi s'iu nda Shqipnisë!
Nga pushtuesit, nga barbarët -
Kurrë ditë t'bardhë, nuk panë shqiptarët!

Erdhi këtu lloj-lloj barbari -
Iku turku,erdh bullgari,
Malazezi e serbijani,
Këmishazitë dhe italiani!...

Zeqë Vërbani, n'robni ish rritë,
Nëpër lufta, ishte kalitë!
Italianët dhe këmishazitë -
N'tokat tona, ia vrajshin sytë!

"Marrshall"-zeza, italiani,
Thot:"Kush asht, ai Zeqë Vërbani?
Këmishazitë,po m'i ngacmon,
Këtë regjim, s'po ma duron!"...

Zeqë Vërbani, ai burrë trim,
I del "Marrshallit"(5) n'dyluftim!
N'dyluftim, iu shue jeta,
Veç për komb e troje t'veta!

Zeqë Vërbani, ai sokol mali,
Me armiqë, luftën s'e ndali,
S'e frikësoi Mbreti, as Krajli -
Për Kosovë, jetën e fali!

Zeqë Vërbani, çau stuhi -
Hapi shkolla e ndërroi kufi.
Luftë mbas lufte në Vërban -
Për Atdhe, u ba kurban!

Sa t'ketë trima, si Karadaku -
Kurrë pa tym nuk jet oxhaku!
Sa t'ketë trima, si Kaçaniku -
Kurrë n'Kosovë, s'mund t'shkelë armiku!

Sa t'ketë trima, si Stagova -
Kurrë pa Zot, nuk jet Kosova!
Sa t'ketë trima, si Zeqë Vërbani -
Kurrë pa Zot, nuk jet vatani!

Demir Krasniqi
rapsod popullor

_________________
(1) Pas Luftës së Kaçanikut më 1910, Turgut Pasha, Zeqë Vërbanit, Bajramit të Demës, Adem Kurtit dhe disa vërbanasve të tjerë që morën pjesë në luftë, ua dogji shtëpitë.
(2) Në vitin 1912/1913, si përfaqësues i Vërbanit në Komunën e Sllatinës, Zeqë Vërbani ra në konflikt fizik me Vojvodën famëkeq, Stojan Domorocin - Sellkiqin dhe u detyrua të emigrojë rreth 5 vjet në Turqi e Bullgari.
(3) Në qershor 1943 ushtria dhe policia bullgare natën e rrethojnë shtëpinë e Zeqë Vërbanit. Kur hasin në rezistencë nuk guxojnë të hyjnë në oborrin e rrethuar, e vrasin fqiun e tij, Ali Kovaçin me dy mysafirët e tij Nezir Miftarin dhe Ramadan Mustafën! Me atë rast në rrethana të pandriçuara vritet edhe një nënoficer bullgar për çka akuzohen Zeqë Vërbani dhe bijt e tij.
(4) Në vitin 1928, Zeqë Vërbani, në emër të shqiptarëve të Sllatinës, i dërgoi një telegram protestues Mbretit Aleksandër në Beograd, me të cilin i kritikoi organet agrare që ua merrnin tokat e punueshme shqiptarëve dhe ua jepnin kolonistëve serbomalazez. Telegrami ruhet edhe sot në Arkivin e Jugosllavisë dhe kopja në Arkivin e Kosovës. Ekzistimin e këtij telegrami i pari e zbuloi dhe e përmendi Dr.Hakif Bajrami në veprën e tij "Rrethanat shoqërore e politike në Kosovë më 1918-1941, botuar në Prishtinë më 1981.
(5) Në vjeshtë të vitit 1943, para shtëpisë së Zeqë Vërbanit zhvillohet një përleshje e armatosur me patrullën italiane ku u përdorën edhe bombat. Me atë rast, vritet Zeqë Vërbani dhe "Mareshali" italian dhe plagosen Hajrush Hajrullahu, Sherif Emini dhe Haki Misini. Italianët nuk arrijnë ta marrin kufomën e italianit të vrarë, i cili vorroset aty në afërsi, ku edhe sot i gjenden eshtrat.


* * *
ZEQË VËRBANI

Kush luftoi në Kaçanik?
Zeqë Vërbani, si kreshnik!
Kush luftoi kundër bullgarit?
Zeqë Vërbani, zogu i shqiptarit!

Kush luftoi kundër Serbisë?
Zeqë Vërbani, trimi i Shqipnisë!
Kush luftoi kundër komiti?
Zeqë Vërbani, ai zog petriti!

Kush luftoi kolonizimin?
Zeqë Vërbani, ia lumsha trimin!
Kush luftoi për shkollën shqipe?
Zeqë Vërbani,ai yll drite!

Kush për fyti, kapi "Marrshallin"?
Zeqë Vërbani, ia lumsha ballin!
Kush luftoi,ta mbrojë Kosovën?
Zeqë Vërbani, ia lumsha dorën!

Kush mbrojti nderin dhe fushën?
Zeqë Vërbani, ia lumsha pushkën!
Kush dha jetën për vatan?
Zeqë Vërbani, u ba kurban!

Zeqë Berisha - Zeqë Vërbani,
Lumja nana, ty, që t'bani!
T'njeh Tirana, t'njeh Gjilani -
Lum, si Ty, që t'pat vatani!

Demir Krasniqi
rapsod popullor




Hashim Shala u lind më 1936 në Vërbofc të Drenicës. Deri më tani komponoi 185 këngë, nxori 60 albume muzikore si dhe botoi disa blej me këngë të vetat. Hashim Shala këndon me mikun e tij Tahir Drenicën. Kënga dhe koloriti i zërit të tyre hyri në çdo vatër, madje shpërtheu edhe kufijtë, duke marrë pjesë në shumë manifestime e festivale të Kosovës dhe jashtë, u kurorëzuan me mirënjohje e shpërblime të niveleve më të larta si ajo në Munih të Gjermanisë, Danimarkë, Bruksel, Nju Jork e Çikago të SHBA-ve. Hashim Shala jeton në Prishtinë ku vepron dhe kontribuon në profesionin e vet.

Gëzim i madh sod në Vërban
(Kushtuar 50 vjetorit të Shkollës së Vërbanit)

Gëzim i madh sod në Vërban
Pesdhet vjet shkolla po i ban.
Jetish Vishi pika e djalit,
Zeqë Vërbani, sokol malit!
Zeqë Vërbani burrë dai,
Jetish Vishi mësues i ri,
Për Tiranë k'ta ia kanë msy'
Me hap shkollë, me ndrru' kufi.
Në Tiranë ata paskan shkue,
Shkollën shqipe m'e kërkue.
Ky Jetishi shka po ban
E hap shkollën në Vërban.
Shka po thot ky Zeqë Vërbani:
- Shkollës kurr' ju mos iu ndani!
Pesdhet vjet kurr' pa u ndalë,
Shumë shkollarë prej saj kanë dalë.
Jetish Vishi sod asht krenar,
Se n'Vërban ish mësues i parë.

Vërban, 1 qershor 1993

Këndoi me çifteli Hashim Shala,
rapsod popullor nga Drenica





Kënduar me 31.08.1997 me rastin
e promovimit të librit "Zeqë Vërbani dhe koha e tij"

Sunday 2 February 2014

Disa anekdota të Zeqë Vërbanit dhe për Zeqë Vërbanin

Zeqë Vërbani qysh në fëmijëri kishte treguar prirje për shaka e humor. Por, edhe më vonë, gjatë tërë jetës, shakaja dhe humori do të jenë pjesë e jetës së tij. Bënte shaka e mahitej, jo vetëm në llogari të të tjerëve, por edhe në llogari të vetën, e madje edhe të pushtetarëve. Me mahitë dhe hokat e tij, Zeqa krijonte atmosferë të hareshme e të ngrohtë nëpër ndeja e tubime të ndryshme. Prandaj, edhe për këtë shkak dhe, jo vetëm për fjalët e tij me peshë, ishte i dashur dhe i mirëpritur nga shokët, miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij. Pikërisht për këtë në popull janë ruajtur edhe sot shumë anekdota të Zeqës apo për Zeqën, ndërsa ne po i prezentojmë ato që arritëm t'i vjelim nga goja e popullit.

FSHISA SI GUH' DHELPNE(1)

Një herë, në odën e haxhi Murat Halabakut në Pozharan, pasi që mysafirët hanë darkë mysafirët, një djalë i ri nisi t'i fshijë trohat e bukës nga jani e cerga me ni fshisë, të cilës nga përdorimi i gjatë i kishte metur gati vetëm bishti. Haxhia me zë të vogël e qorton djalin - pse nuk e ka gjetur një fshisë më të mirë. Këtë e dëgjojnë gati të gjithë, po nuk bëzanë. Mirëpo, Zeqë Vërbani, në mahi thotë:
- "Ket fshisë s'e paska kushi, koka si guh' dhelpne! Veç kjo munet me ja nxerr troshat kësaj cerge. Ruje e mos e hup!"
Pas këtyre fjalëve të Zeqë Vërbanit, ata që ishin në odë ja krisën gazit, e fshisës së harxhuar iu rrit vlera.

Tregoi: Jahi Halabaku, profesor nga Pozherani



S'JAM I VOGËL, PO JAM SA DETI...

Me ni darsëm, me pak vonesë mrrin Zeqë Vërbani me Ali Goshicën - Gashin. Dikush prej burrave i drejtohet Zeqë Vërbanit me za t'naltë, e ja ze n'gojë fisin: "Hajde, hajde Berisha i vogël!"
- S'jam i vogël, po jam sa deti, sa ta kam Gashin me veti!" - ja ktheu Zeqa, tuj i ra Aliut fort' shpinës, sa që e mërthen kolli.

Tregoi: Nezir H.Neziri (1912), bujk nga Goshica



CJAPIN, E JO DASHIN PËR KURBAN

Kishin shkue do vjet, e Zeqë Vërbanin ma nuk e kishin zgedh kryetar komune. Hyqmin e venit e kishin marr n'dorë kolonistat e Gërmovës. Zeqa ma shum sillej rreth shpisë, bile nisi me i ninue ramazanat ren. Ni herë, i biri - Metushi, dashti me ja pre ni dash për kurban, e aj i thot:
- Nuk duhet me pre kurban për njeri t'gjallë, se tue u sjell dashi rreth xhenetit, ban poterë e ja shtie nërmen Xhebrailit, me e thirrë edhe kta. Kur t'vjen vakti për kurban, un' do ta pres ni cap, e jo dash. Desht jan trullana, e kur i kap zhegu, e rrasin kryet me naj kaçubë, kurse capi asht pehlivan, e ma let kapërcen napër urën e xhehnemit, për me dalë n'xhenet.

Tregoi: Salih Sokoli, bujk 70-vjeçar nga Vërbani



MA MIRË A ME DEKË N'LUFTË, SE N'SHTRAT

Ni her me ni muhabet n'odë, ku ishin kanë Adem Tresteniku, Rexhë Kurdija e Zeqë Vërbani, e kishin pas zanë llafin e jetën e t'dekës, që s'ka pshtim prej saj. T'katërtit i kishin dhanë karar, se deka ma e mirë e ma e nershme për shiptari - a deka n'luftë. Zeqë Vërbani ju kish pas thanë shokve t'vet: "Vallha, s'ka gja ma keq se kur t'vinë miqt e dashamirt me t'pa me petlla e pula t'pjekne, e ty nuk t'i kana, po veç i kqyr si lopa viçin e coft! Ma s'miri a kur njeri shkon "çap e rrap", t'u ba muhabet, ja zatetet n'farë tollovie, e hallki pvesin t'habitun: - Shka u ba? - O, u vra Zeqë Vërbani! - Pra, unë kam qef me dekë çashtu, n'luftë a n'tollovi, e jo me u dergj kadal-kadal, n'shtrat - kish pas thanë Zeqë Vërbani.

Tregoi: Salih S.Sokoli, nga Vërbani



KUSH NUK KA PARE - EDHE MA SERBEZ(2)

Me ni darsëm t'madhe, kur shkojnë me marrë nusen n'Tanishec, qysh a kan' adet, e kishin qit' tepsin, e krushqit u dashke me lanë pare. Ata qi s'kishin pare u ngushtojshin. Zeqë Vërbani ju drejtue krushqve: "Kush ka pare le t'kapërcen serbez, e kush s'ka - edhe ma serbez!"
Dikush me za t'ungjt i thot se besa, ma shum' janë asi qi s'kan asni metelik.
- A e dini o burra se marre asht për neve qi hala qesim tepsi. Gjinja vin' n'darsëm për qef, e jo për denim. Kësi hovi po paguj un për krejt, po ma nuk a mirë me e qitë tepsinë! - kish pas' thanë Zeqë Vërbani, e vet i qet n'tepsi 100 banka, qi për at vakt ishin kanë t'mdhaja.

Tregoi: Liman Beqiri (1900), nga Tanisheci, tani jeton në Shkup



VETURA QI KCEJ SI ÇAPINI

Ndër familjet e rralla shqiptare në Jugosllavinë e Vjetër që kishin arritur të blenin veturë private, ishte edhe ajo e Ahmet Shtimës. Privilegj që të vozitej në të, një herë kishte pasur edhe Zeqë Vërbani me disa shokë. Mirëpo, nga pakujdesia e shoferit, në një kthesë vetura me të gjithë udhëtarët fluturon disa metra në një livadh, por për fat, nuk rrotulliset. Shumicën i kap frika e paniku, ndërkaq Zeqë Vërbani, pasi vëren se askush nuk është lënduar, krejtësisht gjakftohtë i drejtohet shoferit:
- Eu pirrolla t'koftë, se përnime tek je pehlivan; ke k'cy me dramë si çapini!

Tregoi: Sherafedin Hoxha, profesor nga Shtimja, jeton në Prishtinë.



SOKOLI I KA PUN'T MIRË SA T'I KENË PENLAT E TERNE

Zeqë Vërbani, si mysafir i Myftijve n'Shkup, kish pas hi fell n'Vardar, për m'u la, e gati ish kan tu' u mytë. Masanej kishin nisë me ba hajgare me Zeqën, qi s'kish pas ditë not, e Zeqa ja kish pas kthye përgjegjen:
- Sokoli (3) i ka pun't mirë sa t'i kenë penlat e terne, po si t'i lagen, aj maron!

Tregoi: Shukri Hoxha, arsimtar veteran nga Sllatina e Poshtme, jeton në Ferizaj



ZOGI GATI JA QITI PENLAT SOKOLIT

Niher, kur kish pas shkue m'u mjekue n'Bajën e Dibrës, Zeqë Vërbani ilegalisht e kish pas' kalue kufinin jugosllavo-shqiptar, e me nihmën e stërnipit t'vet, Hamdi Kurteshit, përpiqet me shkue te mbreti Zog për m'u ankue. Mirëpo, hyçmi i aqehit nuk e lejon. Tu nejtë me ni kafe, e kish pas hup uzdajen, e nisë m'u livdue n'hesap t'llagapit t'vet.
- Un jam Sokol, e ju e dini se Sokoli e kap zogun n'hava e ja qet penlat n'tokë - thotë Zeqë Vërbani.
Do gjin qi ishin kanë qillu' ngat e kishin pas nie si bende për mretin Zog. Kjo shpejt i shkon n'vesh edhe xhanarmerisë t'Shipnisë, e cila meniherë i vnohet n'hetim. Mirëpo, dikush meniherë e njofton Zeqë Vërbanin qi sa ma shpejt t'largohet prej atyhit, e menxi pshton, tue u mlue me hastra me ni kerr t'kive. Masanej, Zeqë Vërbani kët vaki kështu e komentonte:
- Besa, kësihovi Zogu gati ja pat qitë penlat Sokolit.(4)



KULLASHI I ZEQË VËRBANIT N’BESË T’DAUT KOMOGLLAVËS

Sa ka qenë Zeqë Vërbani i njoftun n’popull, gati aq a kanë i njoftun kali i tina – Kullashi. Edhe pse me trup a kanë i vogël, a kanë kali shum i meçum, trim e shumë i shpejtë. Thonë se shumë herë e kish pas pshtue zotnin e vet nga rreziqet.

Kullashi notojke mirë, e s’kish ujë, sado i fellë e i rrept me kanë, qi nuk i rake. Kish ba vaki disa herë napër darsma me i kapërcye krejt krushqit përtej Moravës, ja përtej Lepencit t’rrëmyeshëm, se kualt qerë nuk guxojshin m’i ra ujit. T’ngamen e kish nazeli, “rahovan”, tuj shkue kryq e tërthur, si n’tri kamë, po nat qeshit, qi ati qi i hypke, mos me ja derdhë as kafen. Mirëpo, ajo qi ja çoj larg zanin kti kali, ish aftsia e tij që t’i hetojë heret dhe t’u shmangej pritave e pusive qi ja kurdisshin hasmit Zeqë Vërbanit, e ma s’shumti n’kohën e zgjedhjeve. Sifatet (vetitë) e mira t’Kullashit i livdojke edhe vetë Zeqë Vërbani, tuj thanë para tanve se kali i vet shum herë ja kish pshtue kryet. Mirëpo, vetëm ni herë kish ba vaki qi Zeqa e Kullashi i tij nuk ishin marrë vesh nërmjet veti.

N’aksham, tuj u kthye fillkalli vetum prej Sllatinës s’Epërme, ngat Zabelit t’Beqir Sodovinës, Kullashi nisi me tërfllu me hunë, e dojke m’i dhan isharet t’zotit se dikush ja ka vnu’priten, e kurqysh nuk kish pas dashtë me hec n’at drejtim. Zeqë Vërbani niherë kish pas ngue për me hjekë dyshimin, i kish pas shkrepë dy fishekë alltie n’drejtim qi Kullashi nuk dashke me hecë. Mirëpo, kto krisma Kullashin e kishin pas trem edhe ma tepër, e me kokfortësi e kish pas nrrue drejtimin, e n’ven se me shkue kah Vërbani, aj, “e merr frenin n’gojë” e shkon kah Komogllava, e ja msyn odës së Mulla Hetemit(5), t’Mhallës Llugoviqe. Masi e gjan kapixhikun çelë, hin drejt n’ahër, ku e kish pas shumë her konakun e ku i kishin qitë sanë e taxhi. Zeqë Vërbani, menxi ish kanë përbirue nëpër kapixhik, tue ju veshë kalit rreth qafës, e nxjerr alltinë dhe don me vra kalin kryefortë e t’pangushëm. Mirëpo, nuk e len i biri i Mulla Hetemit, Dauti, i cili e kish pas përcjellë kët ykdyl t’rrezikshëm, pa naj zarar.

-Jo, Aga Zeqë, mos e myt kalin, se ky vetë e din pse s’ka pranue me hi n’at vakt napër zabel, e ktu ka ardhë me besë – i tha Dauti.

Masi qetësohet Zeqa, han darkë e bajnë muhabet, si miq t’moçëm. Dauti, manej, e shalon edhe kalin e vet, e mysafirin e përcjell shnosh e mirë teri n’Vërban.

Treguan: Sadri Arifi, nga Komogllava dhe Ilaz Cara, nga Vërbani



KUSH DESHTI ME E KTHYE TRENIN PËR VËRBAN?

Në gjelltoren e Januzit t'dajës Rexhë n'Gjilan, shpesh u kthejshin kryetarët e atëhershëm shqiptarë t'komunave t'Moravës, e kaniherë me ta shkojke edhe deputeti i rrethit, Tomë Popoviqi. Kështu, niherë aty u gjetën: Jakup Karaçeva, Feriz Llashtica, Sejdë Budrika, Sinan Staneci, Shaban Haliti nga Pozherani, Sali Fejza i Hogoshtit, Zeqë Vërbani, e disa qerë. Toma, tue u mahitë i drejtohet Zeqë Vërbanit e i thot me kallxue qysh ka dashtë me e kthye trenin e Ferizajt për Vërban. Ky niherë nuk deshti me kallxue.
- Lë Allahile, se për kët punë kam kallxue shumë herë - i tha Zeqa Tomës.
- Jo, jo! Kallxo, se Jonuzi nuk ka ni për kët vaki - ngulte kamë Toma.
Ma në fund, Zeqë Vërbani, të cilit i kish hije fjala e muhabeti, kallxon se qysh kanë shkue te mreti Aleksandër, e kur i kish pas vetë me ren shqiptarët e Moravës prej cilave vende janë, ju kish pas drejtue edhe Zeqë Vërbanit, tuj thanë se asht pranue projekti i hekurudhës Ferizaj - Gjilan - Bujanoc, e ka me kapërcye nëpër Vërbanin e tij. Ky u kish pas besue fjalëve t'mretit, e për qata kish pas dashtë me kthye trenin për Vërban, more koftë edhe nëpër ara me kollomoç.

Tregoi: Vehbi Rexhepi, vëlla i Jonuzit nga Gjilani. Jetoi në Prishtinë deri në vitin 1997



LE TË DIHET SE KUSH ASHT KUSHERINI I ZEQË VËRBANIT

Zylfi Zharku i Vërbanit niher i kish pas tubue do pare e ish kanë nisë për me ba aheng n'kafen "Bojalihan" t'Shkupit me dy jarana t'vet. Si sebep për ket punë ish lajmi se katunari i tij, Zeqë Vërbani, e kish fitue shumicën e votave për kryetar komune n'Sllatinë t'Epërme. Masi i kishin çue disa gota, Zylfia kish urdhnue me e mshel kafen për ni kohë, tue pague vetë krejt harxhimin me arsyetim: "Le t'dihet se kush a kusherini i Zeqë Vërbanit!"

Tregoi: Vehbi Rexhepi, fotograf nga Prishtina



I YTI TA HAN MISHIN - PO TA RUEN KOCIN

N'kohën e zgjedhjeve për kryetar komune, Velko Petroviqi, kolonist pej Gërmove, u thojke zgjedhësve shqiptarë: - Mos votoni për Zeqë Vërbanin, se aj a i pashkollë e nuk e do pushteti; se aj kurrgja nuk munet me ju nimue. Masanej, n'baftë me fitue Zeqa, ka me jav hangër mishin me punë angarie e me zullume qera.

Kur Zeqë Vërbani merr vesh, ju thot zgjedhësve: "I yti, mishin ta han, po kocin ta run!. E Velk Petroviqi shiptarve nuk jav len as mishin as kocin."

Tregoi: Mehmet Hasani(6), nga Sodovina e Çerkezëve



MATUFI PLAK, APET M'I KE LUEJT KUJAT

Disa katunarë pej Strezovcit t'Kamenicës ishin kanë pas zanë për do megja. Për me i nreqë, i kishin pas thirrë burrat e fiseve. Nër ta e kishin pasë thirrë edhe Zeqë Vërbanin e Moravës Epërme. Ata kishin pas shkue shumë herë për m'i pajtue kto rragja. Tuj i marr "napër liq" kto punë, u mur vesh se edhe hoxha i katunit ish kanë pas përzie n'at mosmarrëveshje. Zeqë Vërbani, i idhnuem e kap hoxhën për mjekrre e i thotë: - Matufi plak, apet m'i ke luejt kujat!

Tregoi: Hamdi Ibishi, 70 vjeçar, nga Strezovci
Shënoi: Tahir Z.Berisha



DORASIT DUHET T'I DJEGET EDHE KOTECI I PULAVE

Në pajtimin e gjaqeve dhe të ngatrresave të ndryshme, Zeqë Vërbani o kanë i drejt, kambngulës dhe shumë i rrept. Kshtu nji herë kur njani nga Morava e Poshtme i vrau dy të afërm pa pik faji, Zeqë Vërbani me kambngulje lypi që vrasësi të leçitet nga katundi dhe t'i gjeget shpia, t'ue thon se belaxhisë duhet t'i gjeget edhe koteci i pulave që mos t'i bie nër men ma me ba keq.

Tregoi: Sylë Dajkovci, 84 vjeçar nga Dajkovci i Kamenicës
Shënoi: Tahir Z.Berisha



PA E PA T'KEQEN, NUK JA DIN KIMETIN T'MIRËS

Për vakt t'vet Zeqë Vërbani ish kanë boll përparimtar. Kshtu, shpesh herë i thojke t'shoqes, Mihanes, që masi t'i kryejn punt e shpisë, t'vishen si u ka hije, e bashk me rejat e mesat e veta të dalin me kërkue napër kojshi e akraba, se: "N'koftë se nuk shihni ma keq se n'shpi, do t'ja dini kimetin ma shumë asaj qi e keni; n'koftë se shihni ma mirë, do ta msoni naj marifet ma t'mirë".

Tregoi: Taibe Berisha(7), 87 vjeçare
Shënoi: Mujë Berisha, i biri



THMIJA DUHET ME NEJT EDHE N'ODË T'BURRAVE

Adem Halili i Trestenikut dhe Rexhë Kurdija i Komogllavës, shpesh ishin mysafirë n'odën e Zeqë Vërbanit. Te dy kta burra kishin menime t'njëjta për punë t'nryshme me t'zotin e shpisë. Mirëpo, kur u çelke muhabeti për politikë, ose për naj ngjarje me ransi, ata thojshin se thmija duhet me u largue prej ode. Zeqë Vërbani menojke se ata duhet me nejtë n'odë edhe kur zihet muhabet për punë t'mdhaja. - Thmija duhet me nejt n'odë e duhet me ngue se shka flasin burrat, se kshtu ata msojnë shumë sene dhe me kohë aftësohen me da t'mirën e t'keqen - thojke Zeqë Vërbani.

Tregoi: Emin Misini, nga Sodovina e Jerlive
Shënoi: Tahir Z.Berisha



MOS I QIT POREZ PËR KRYE, SE AJ KRYE S'KA

Zeqë Vërbani, masi ish kanë kthye prej majes Lybetenit, ku kish pas shkue me shokë ditën e midisit verës (aligjynit), kish pas thanë:
- Çaj qi shkon për s'dyti her n'kamë n'maje t'Lybetenit, unë me kanë hyqmet, atina nuk i kishna qitë porez për krye njeri, se ai krye nuk ka.

Tregoi: Jetish Vishi, mësues veteran nga Vërbani
Shënoi: Dr. Mehmet Halimi, punonjës shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës



RRËFEJZA

KTO KATUNE JANË BUKË E GATUNE

Zeqë Vërbani e unë shkuem n'Tiranë te ministri i punve t'mrenshme(8) me e lutë ministrin me na nimue me nrrue kufinin, e Vërbanin e katër katune qera m'i qitë me Shypni, e ministri na tha:
- E more vllazën, na jemi tue punue e tue u munue qi krejt popullin shqiptar me e shlirue prej bullgarit, e jo veç pesë katune.
- Ju faleminerit zotni, për munimin e juve për me e shlirue krejt Kosovën, po neve po na dhimen edhe kto pak katune, se janë bukë e gatune dhe e pjekun hazër e me naj hangër qetër kush veç për zot, po na vjen inati e po na dhimen e për çatta kena ardhë te Ju qi t'na nimoni t'i nxerrim e t'i pshtojmë pi thojve t'bugarit - si n'flakë t'pushkës i tha Zeqë Vërbani ministrit, se Zeqa a kanë burrë i zoti e i gojës.

Tregoi: Jetish Vishi, mësues veteran nga Vërbani
Shënoi: Dr. Mehmet Halimi



MËSUESIN E KAM ME VETI

Masi u siguruem se Vërbani do të shkoj me Shypni, bashkë me Agën Zeqë shkuem te ministri i arsimit me lypë me çelë shkollën shype n'Vërban.
- Kena ardhë te Ju zotni, me ju lutë me na dhanë leje për me çelë shkollën shype n'Vërban - i tha Zeqë Vërbani ministrit t'arsimit.(9)
- E more vllazën, kërkesën për hapjen e shkollës qi po e paraqitni ju për pes katune, e kanë paraqit edhe 50 katune tjera t'Kosovës, por fatkeqësisht nuk kemi mësues me hapë shkolla shipe n'çdo katun t'Kosovës. Ku t'i marrim kuadrat? - na tha ministri.
- Sa për msues zotni, unë msuesin e kam me veti. Qe ky zotnija me mue asht msues - i tha Zeqa tue ba me dorë kah unë.
- Ashtu?! - pyeti i habitun ministri. Mandej nga fijoka e tavolinës e nxori nji letër t'bardhë e m'tha: - Unë po të diktoj, e ti shkruej!
- Unë e shkrova lutjen ashtu siç m'diktoj ministri dhe në fund e nënshkrova.
- Shumë bukur e paske shkrue, zbrit poshtë dhe bleje nji pullë prej tre lekësh! - më tha ministri. Unë zbrita shpejt e shpejt, e bleva pullën, ia ngjita lutjes dhe ia dorëzova ministrit.
- Shumë bukur! Tash mund të shkoni zotni. Kti zotnisë mas ni jave ia dërgoj dekretin për mësues në Vërban - i tha ministri Zeqë Vërbanit.
- Masi u kthyem me Agën Zeqë prej Shypnije, tepër t'gzueshëm qi Vërbani po kalon me Shypni edhe shkollën p'e çelim n'gjuhën shype, unë mas ni jave shkova n'Prishtinë.
- Ku je, o Jetish Vishi? Ty t'ka ardhë dekreti për msues n'Vërban, po Vërbani a s'asht nër bugar?! - më pyeti Selami Hallaçi(10) me habi.
- Po, zotni Selami, momentalisht asht nër bugar, po shpejt do t'kalojë me Shypni edhe do ta çelim shkollën shqipe n'Vërban - ja ktheva unë.

Tregoi: Jetish Vishi, mësues i parë i shkollës shqipe në Vërban
Shënoi: Dr. Mehmet Halimi


[Mujë S. Berisha:“Zeqë Vërbani dhe koha e tij”, Prishtinë, 1997, fq.123]
____________________
(1) Këtë dhe nëntë anekdotat e tjera, janë marrë nga libri i Tahir Z.Berishës, "Trojet që nuk shuhen".
(2) Për një rast të ngjashëm, në një fshat tjetër të Anamoravës dhe për qëndrimin e Zeqë Vërbanit lidhur me flakjen e zakonit të qitjes së tepsisë para krushqve, tregoi edhe veterani i arsimit, Sabit Rexhepi nga Ramjani i Vitisë.
(3) Mbiemri familjar i Zeqë Vërbanit ishte - Sokoli (Zeqë Sokoli).
(4) Për këtë rast ka treguar shumë herë Hamdi Kurteshi (1882 - 1970), nga Pozherani. Këtë anekdotë ia kishte treguar Dalip Ukës nga Prishtina edhe Rrahim Bajram Kosovalia nga Stambolli, kur në shtatorin e vitit 1991 ishte mysafir në Prishtinë, ashtu siç ia kishte treguar axha i tij Sefë Drobeshi (Viti), i cili u shpërngul për Turqi në vitin 1957.
(5) Oda e Mulla Hetemit gjithmonë ka qenë vendtakim i shumë krerëve dhe udhëheqësve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Siç tregoi Sadri Arifi, 80-vjeçar, aty gjatë viteve 1908 – 1912, qëndruan me javë të tëra: Bajram Curri, Riza beg Gjakova dhe udhëheqës të Anamoravës. Edhe sot në derë të kësaj ode ekzistojnë dy vrima plumbash, që i kishte shkrepur Bajram Curri, duke u mahitur: “Le të dihet se këtu ka ndejtur Bajram Curri!”. Mulla Hetemin, patriot i shquar, e vranë bullgarët në vitin 1917. Edhe sot varri i tij gjendet në arën e një kolonisti afër “Pumpës”. I biri i tij Dauti, ka lanë amanet të bijve që eshtrat e gjyshit, në një rast të volitshëm, t’i nxjerrin nga ai vend dhe t’i rivarrosin në varrezat e Komogllavës.
(6) Anekdotën e ritregoi Ramadan Hasani, i biri i Mehmetit. E shënoi Tahir Z.Berisha, më 25.IX.1993
(7) Taibe Berisha (1910 - 1996), ishte reja e dytë e Zeqë Vërbanit, nga familja e Alidemëve të Pozheranit.
(8) Në atë kohë, më 1943, ministër i punëve të brendshme në Shqipëri ishte zotëri Kolë Bib Mirakaj.
(9) Ministër i Arsimit më 1943 në Shqipëri ishte z.Ahmet Duhanxhiu.
(10) Selami Hallaçi, më 1943 ishte sekretar i Inspektorisë së Arsimit në Prishtinë.

Saturday 1 February 2014

Kundër kolonizimit të tokave shqiptare

“Këto toka na mbetën nga prindërit dhe stërgjyshë tanë… Ato për ne janë jetë… Rrojtja pa to është vdekje.” (Vasfi Samim Visoka)

Pas mbarimit të Luftës së Parë Ballkanike, çlirimin nga robëria turke, një pjesë e popullatës shqiptare e përjetoi si okupim nga pushteti serbo-malazez. Megjithë premtimet e qeverisë serbe në vigjiljen e luftës kundër Perandorisë Osmane se populli aleat shqiptar në Kosovë do të gëzojë të drejta të gjera, ai iu nënshtrua një terrori dhe gjenocidi të paparë. Vrasjet e masakrat, dhunimet, djegiet e shtëpive etj., ishin këto pamje të viteve pas luftërave ballkanike, por edhe më vonë. Të tilla pamje trishtuese pati në të gjitha viset e pushtuara shqiptare. Edhe në trevën e Anamoravës, po ashtu. Për këto ngjarje tragjike informoi shtypi evropian i kohës. Publicisti Leo Freundlich, në organin "Albanische Korrespondenz" jepte kronika të përgjakshme, një pjesë të të cilave i mblodhi dhe i botoi në Vjenë, më 1913, me titull "Albaniens Golgotha" ("Golgota shqiptare"). Me këto shkrime "Frojndlihu e quante të nevojshme që në emër të humanizmit, qytetërimit dhe të popullit fatkeq shqiptar t'u drejtohej qeverive të fuqive të mëdha dhe mbarë opinionit evropian për ndihmë dhe mirëkuptim"(12). Mirëpo, shumicës së këtyre qeverive sikur nuk u bënin përshtypje informatat për krimet e ushtrisë çetnike serbe në fshatrat Trestenik, Komogllavë, Vërban, Lubishtë, Gjylekar, Tërpezë, Brest, Korbliq, Shashare, Letnicë, Goshicë, Kabash, Mogillë etj., në të cilat sipas shkrimeve të këtij publicisti thuhej se në 29 fshatra të Karadakut janë djegur 280 ekonomi të shqiptarëve muslimanë, kurse vetëm në fshatrat e përmendura të Moravës së Epërme, u therrën në mënyrë mizore 238 burra. Vetëm në Vërban, "në vitet 1912-13, ushtria serbe i vrau mbi 20 vërbanas"(13).

Për shkak të kësaj shtypjeje të egër dhe krimeve që bënte ky pushtet mizor mbi popullatën shqiptare, një numër i njerëzve shpërngulen në Turqi dhe në territorin e Shqipërisë së çliruar. Në shtëpitë dhe tokat e të shpërngulurve vendosej elementi sllav. Ky ishte edhe fillimi i kolonizimit të trevave shqiptare, "... që pikësynonte qysh moti zhdukjen e farës së pasardhësve të ilirëve"(14).

Punët rreth kolonizimit përkohësisht i ndërpreu shpërthimi i Luftës së Parë Botërore, për të vazhduar menjëherë pas përfundimit të saj, kur tokat shqiptare u ripushtuan nga i njëjti pushtues. Megjithatë, "... forma ligjore iu dha me Dekretligjin mbi kolonizimin e viseve jugore të 24.X.1920 dhe të tjera dispozita"(15). Ky proces zgjati deri në vitin 1938. Regjimi sundues serbomadh "...me rastin e zbatimit të kolonizimit, nuk i përfilli interesat e popullatës vendëse, para së gjithash të shqiptarëve, të cilët përbënin shumicën e popullsisë"(16). Në të vërtetë, me kolonizimin synohej të vihej një baraspeshë etnike që të sundoheshin më lehtë vendet e pushtuara. Për t'ia arritur këtij qëllimi, fshatarëve ua merrnin (uzurponin) tokat, të cilat i kishin shfrytëzuar shekuj me radhë, madje edhe tokat të cilat i kishin me tapi, duke ua dhënë pastaj kolonistëve arat e bukës, livadhet e meratë. E shqiptari gjithmonë ka qenë i lidhur ngushtë me tokën si burim i gjallimit dhe i forcës për të qëndruar dhe mbijetuar. "Fshehtësia më e madhe e qëndrimit ende në këmbë të popullit shqiptar, me gjithë tragjeditë historike që jetoi edhe me gjithë gjakun e njomë që ka derdhur ndërmjet vargjeve të shekujve, mund të shpjegohet vetëm e vetëm me lidhjet shpirtërore që ka me tokën, e sidomos me ndjesinë e racës për arat e vatrat e veta"(17).

Kolonizimi së pari filloi në trevat rreth Gjilanit(18), e pastaj u zgjerua edhe në trevat e tjera të Kosovës. "Kështu, në 61 vendbanime të këtij rrethi u kolonizuan 1142 familje serbe e malazeze"(19). Vetëm në komunën e Sllatinës së Epërme u vendosën 294 familje në këto fshatra: Sllatinë e Epërme 7, Sodovinë e Çerkezëve 62, Gërmovë 50, Goshicë 40, Mirasalë 16, ndërsa në fshatin krejtësisht të ri kolonist, Tankosiq, i pagëzuar me emrin e organizatorit dhe instruktorit të njohur të çetave komite, Voja Tankosiqit, u vendosën 119 familje koloniste, të cilave pushteti ua ndërtoi shtëpitë sipas planit të njëjtë e të veshura me llamarinë. Këtyre kolonistëve "...kryesisht iu nda toka që iu muar me të padrejtë fshatarëve shqiptarë të Sllatinës së Epërme dhe të Ramjanit"(20). Ky veprim i pushtetit shkaktoi shumë ngatërresa e mosmarrëveshje ndërmjet vendësve autoktonë dhe kolonistëve, i cili u përdor edhe si mjet presioni ndaj popullatës shqiptare për t'u shpërngulur nga trojet e veta etnike.

Zeqë Vërbani nuk mund t'i shikonte me indiferentizëm këto padrejtësi që u bëheshin fshatarëve nga ana e pushtetit dhe kolonistëve. Traumat e tyre i përjetoi si të vetat. Meqë edhe vetë ishte bir fshatari, e dinte se toka e bukës dhe kullosat për fshatarin kanë rëndësi jetike. Prandaj, i revoltuar nga tërë këto të këqia, që u bëheshin fshatarëve shqiptarë, mori guximin që, si kryetar komune në Sllatinë të Epërme, e pastaj edhe si deputet i Kuvendit të Parë të Krahinës së Vrajës, të reagojë haptas duke u vënë në anën e popullit të vet. Së pari këtë e bëri bashkë me parinë shqiptare të rrethit të Gjilanit në takimin me mbretin Aleksandër Karagjorgjeviqin, në shtëpinë e deputetit dinak Tomë Popoviqit, në Gjilan, kur mbreti e vizitoi Kosovën në fillim të vitit 1927. Në atë takim, patrioti, Hamdi Kurteshi, i nxitur nga interesimi i mbretit për gjendjen e shqiptarëve, e hap një dialog të ashpër, duke iu ankuar se me masat e reformës agrare ishte rrezikuar ekzistenca e fshatarësisë shqiptare dhe ishte shtuar pakënaqësia e tyre. Mbreti, i revoltuar nga ato fjalë që dëgjoi nga Hamdi Kurteshi dhe të tjerët, ishte zemëruar keq dhe, pa e pirë kafenë, u ishte drejtuar të pranishmëvet me këto fjalë kërcënuese: "Nëse nuk jeni të kënaqur me këtë regjim, ja ku e keni Shqipërinë dhe Turqinë dhe mund të shkoni kur të doni!". Pas këtyre fjalëve, biseda ishte ndërprerë si e padëshirueshme për të dy palët, ndërsa te përfaqësuesit shqiptarë kishte lënë përshtypje shumë të keqe.

Paria e Anamoravës në vizitë te
mbreti Aleksandër Karagjorgjeviqi në Beograd (19.02.1927)


Rreshti I në këmbë (nga e majta): Mehmet Devaja, Feriz Llashtica, Hajdar Demosha nga Begunca, Zeqir Sejdiu - Zeqë Vërbani, Rexhë Kurdia nga Komogllava, Musë Tomaku nga Pograxha; Rreshti II (në këmbë): Hamdi Kurteshi nga Pozherani, Rashit Llashtica, Adil Agë Dobërçani, Sinan Staneci, Kamber Dani nga Hogoshti, Jonuz Përlepnica, Shefki Zhegra, Veli Kopërnica; Rreshti III (ulur): Jakup Karaçeva, Tomë Popoviqi, Haxhi Jusuf Shkodriqi nga Desivojca, Sejdë Budrika, Islam Pira nga Pozherani; Rreshti IV (ulur këmbëkryq): Ramiz Kabashi, Osman Agë Muçivërca, Sali Fejza nga Hogoshti, Hafiz Osmani nga Dobërçani dhe Ramadan Shipashnica.

Për ta zbutur sado pak "incidentin", Tomë Popoviqi e merr iniciativën që një delegacion i parisë shqiptare të kësaj ane ta vizitojë mbretin Aleksandër në Beograd. Kjo vizitë realizohet më 19.II.1927, me pjesëmarrjen e 23 përfaqësuesve shqiptarë. Ndër ta ishte edhe Zeqë Vërbani (është ruajtur fotografia). Sipas rrëfimeve të Zeqës, pas kthimit nga Beogradi, dhe kujtimeve të mëvonshme të disa pjesëmarrësve të vizitës në Beograd, delegacioni ishte pritur mirë nga mbreti dhe kryetari i qeverisë. Madje, mbreti secilit ia kishte dhuruar nga një kuti duhani të gravuar me kurorën mbretërore, emrin dhe datën e vizitës, si shenjë falënderimi për peshqeshet që këta ia kishin dhuruar mbretit (qilima, jana, etj.). Me atë rast mbreti Aleksandër iu kishte premtuar mysafirëve se do të merreshin masa urgjente për korigjimin e gabimeve lidhur me zbatimin e reformës agrare dhe përmirësimin e gjendjes së përgjithshme në rrethin e Gjilanit. Po ashtu, u kishte premtuar se nëse Partia jugosllave radikale do të fitonte përsëri në zgjedhje, së shpejti do të realizohej projekti për ndërtimin e hekurudhës Ferizaj - Gjilan - Bujanoc. Edhe mysafirët u ishin zotuar mikëpritësve të saj se do të përkrahnin këtë parti, duke ua siguruar votat kandidatëve të saj. Lidhur me këtë takim dhe me pjesëmarrjen e Zeqë Vërbanit në të, janë ruajtur edhe anekdota.

Meqë, as përkundër premtimeve të mbretit, pushteti nuk ndërmori asgjë për përmirësimin e padrejtësive ndaj fshatarëve, ndërsa situata e tyre dita-ditës keqësohej, Zeqë Vërbani, i nxitur edhe nga ankesat e shumta të tyre, reagoi për herë të dytë. Këtë herë në cilësinë e kryetarit të komunës dhe të deputetit të Kuvendit të Parë të Krahinës së Vrajës, i shkroi zyrtarisht mbretit Aleksandër një telegram protestues, të cilin ia dërgoi në selinë e tij në Topollë, më 13.V.1928. Nëpërmjet telegramit Zeqa, në emër të shqiptarëve të Sllatinës së Epërme, shpreh mospajtimin për marrjen e pasurisë, të arave dhe livadheve të tyre të trashëguara nga gjyshërit e stërgjyshërit, e për të cilat i kanë edhe tapitë. Këtu, më poshtë po e japim tekstin e telegramit të përkthyer në gjuhën shqipe nga origjinali(21):


LARTËMADHËRISË SË TIJ MBRETIT ALEKSANDËR(22)
Topollë

     Ne shqiptarët e rrethit të Gjilanit të fshatit Sllatinë e Epërme, me devotshmëri më të përulët qytetare, pasi i shterëm të gjitha mjetet e tjera të rregullta, marrim guximin që Juve, Lartëmadhëri, të ju dërgojmë sa vijon: pasuritë, arat dhe livadhet që na kanë mbetur nga gjyshërit tanë qysh para njëqind vjetësh dhe për të cilat i kemi tapitë, rend me rend po u merren fshatarëve tanë dhe po u jepen kolonistëve, edhe pse ka mjaft mera për këtë qëllim kudo, pra edhe në rrethin e Gjilanit. Sikur të kishte nevojë  për këtë, ne do t'i ndanim vetë pasuritë  me kolonistët pa urdhërin e pushtetit, por për këtë nuk ka nevojë, por me një veprim të tillë vetëm po dëshirohet që të krijohet gjaku i keq ndërmjet kolonistëve dhe popullsisë myslimane (shqiptare), gjë që nuk shkon në favor të rregullit dhe qetësisë së atdheut tonë të dashur...
       Prandaj, me përultësi më të madhe lutemi për fjalën Tuaj të lartë  që pasuritë tona mos t'i prekin, por ato të na mbesin neve!

       Në emër të shqiptarëve të fshatit Sllatinë e Epërme, me përultësi ndaj madhërisë Suaj mbretërore, 

Zeqir Sejdiu
kryetar komune dhe
deputeti i Krahinës së Vrajës


Ngjarjet që pasuan më vonë, dëshmuan se as premtimet e mbretit Aleksandër dhe as telegrami protestues i Zeqë Vërbanit, nuk patën efekt. Madje, autorit të tij i është zënë për "...gabim të madh, gjoja pse ai si kryetar komune dhe deputet rajonal në këtë mënyrë po e pengonte politikën zyrtare rreth zbatimit të masave të reformës agrare"(23), nëpërmjet të së cilës, në të vërtetë, po zbatohej politika kolonizuese serbomadhe, mbështetës i së cilës ishte vetë mbreti. Prandaj, edhe u zvarrit problemi, ndërsa fshatarët e Sllatinës së Epërme, duke mos pasur ç'të bënin tjetër, vazhduan të ankohen. Kështu, më 18.II.1931, pallatit mbretëror iu dërgua ankesa kolektive e nënshkruar nga 11 veta(24), duke angazhuar edhe avokatin gjilanas Vlladan Gl.Popoviqin për t'i mbrojtur interesat e tyre. Por, as kjo ankesë nuk ndihmoi. Pushteti duke i refuzuar ankesat e tyre të gjitha i arsyetonte me pretekst të mbrojtjes së "interesave të larta kombëtare e shtetërore".

Megjithatë, më së keqi e pësuan fshatarët e Sllatinës së Poshtme në përpjekjet e tyre për t'i shpëtuar gjashtë hektarë mera të katundit, të cilët në mënyrë arbitrare ua uzurpuan "kolonistët e Tankosiqit Mirko dhe Simo Miliniqi"(25). Atë ditë kur e kishin kufizuar këtë pronë si të veten, kishin bërë aheng me pije e me të shtëna armësh në ajër. Kur u ishin afruar fshatarët shqiptarë për të protestuar, e disa edhe duke gjuajtur me gurë, kolonistët ua kthejnë me armë. Me atë rast ishte vrarë në vend Mehmet Demelezi, ndërkaq ishin plagosur: Ramiz Frangu, Metush Frangu dhe Tush Frangu, si dhe e mitura Xhevrije Sylë Demelezi. Por, në vend se të përgjigjeshin vrasësit, burgosen: Bejtë Frangu, Elmaz Mjaku dhe Bahri Frangu, të cilët pas tre muajsh qëndrimi në burg, me ndihmën dhe intervenimet e shumta të kryetarit të komunës, Zeqë Vërbanit, mezi ishin liruar. Raste të ngjashme të uzurpimit të merave pati edhe në fshatra të tjera, ndërsa ajo e Sodovinës së Jerlive, e njohur për kullosa të mira, edhe pse disa herë qe marrë në konsiderim për t'iu ndarë kolonistëve, shpëtoi falë angazhimit të Zeqë Vërbanit dhe deputetit Tomë Popoviqit, i cili kishte nevojë për votat e banorëve të kësaj treve.

[Mujë S. Berisha:“Zeqë Vërbani dhe koha e tij”, Prishtinë, 1997, fq.57]
____________________
(12) Zekeria Cana, "Socialdemokracia serbe dhe çështja shqiptare 1903 - 1914", Prishtinë, 1986, fq.129
(13) Selim Musliu, "Ploja në Anamoravë", "Shkëndija", maj 1991
(14) Zekeria Cana, "Ishin ata martirë të kombit", "Bujku", 6 mars 1995
(15) Dr.Liman Rushiti, "Lëvizja kaçake...", vepër e cituar, fq.37
(16) Radoshin Rajeviq, vepër e cituar, fq.105
(17) Vasfi Samim Visoka, fejton "Aparati grabitës i reformës agrare i shovinistëve jugosllavë", në "Bujku", 1996
(18) Radoshin Rajeviq, vepër e cituar, fq.103
(19) Tahir Z.Berisha, "Trojet që nuk shuhen", vepër e cituar, fq.117
(20) Tahir Z.Berisha, po aty, fq.119
(21) Tahir Z.Berisha, vepër e cituar, fq.23-24
(22) Ekzistimin e këtij telegrami i pari e zbuloi dhe e përmendi Dr. Hakif Bajrami në veprën e tij "Rrethanat shoqërore e politike në Kosovë më 1918 - 1941", botuar në Prishtinë më 1981
(23) Tahir Z.Berisha, vepër e cituar, fq.124
(24) Xhafer Shatri, "Ankesa në emër të Sllatinës së Epërme", fejton, "Bujku" dt.19.II.1991
(25) Tahir Z.Berisha, "Kush i shkroi mbretit Aleksandër?", "Bujku", dt.4.I.1992

Kush ishte Zeqë Vërbani?

Zeqë Vërbani (1886 - 1943)
Zeqë Vërbani
(1886 - 1943)
Në mesin e këtij brezi të dytë burrash, Zeqir Sejdiu nga Vërbani i Moravës së Epërme, në opinion i njohur si Zeqë VËRBANI, zë një vend të merituar, më tepër në kujtesën e popullit, e më pak në shkrimet e historianëve tanë. I lindur me zgjuarësi e trimëri - dhunti natyrore, i rritur dhe i burrëruar nën ndikimin e ideve patriotike liridashëse të kohës, Zeqa tërë jetën u vu në shërbim të popullit dhe të interesave të tij, duke sakrifikuar edhe jetën në altarin e lirisë. Me punën dhe aktivitetet atdhetare, politike e shtetërore, Zeqë Vërbani la gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e popullit të Kazasë së Gjilanit, jo vetëm tek ata që e njohën, por kujtimi për të u përcoll gojë pas goje edhe në brezat e mëvonshëm. Për Zeqë Vërbanin edhe sot, pas pesëdhjetekatër vjetësh nga vdekja e tij, flitet me respekt si për një burrë të pashëm, të urtë, fisnik e bujar; për një trim të vendosur, udhëheqës popullor, politikan të aftë e arsimdashës të flaktë; për një njeri të afërt me njerëz të të gjitha shtresave e konfesioneve, fjalëmbël me miq e dashamirë, por i rreptë me armiq e zaptues, kundër të cilëve luftoi deri në frymën e fundit.

Zeqë Vërbani bëri jetë të bujshme, të brumosur me aktivitete të nduarnduarta: luftarake, patriotike, politike, pleqnare etj., ndërkaq edhe jeta e tij private ishte mjaft interesante. Ishte ndër pjesëmarrësit më aktiv në ngjarjet më të rëndësishme në rrethin e Gjilanit. Kështu mori pjesë në aktivitetet dhe luftërat çlirimtare të periudhës 1908 - 1912, të udhëhequra nga Idriz Seferi me shokë; rezistoi hapur kundër masakrave të ushtrisë serbe ndaj shqiptarëve të fshatrave të Moravës së Epërme; ra në konflikt fizik me vojvodën famëkeq e katil, Stojan Domorocin - Sellkiqin, për ç'gjë u detyrua të emigrojë afro pesë vjet në Turqi e Bullgari; si kryetar shumëvjeçar i komunës së Sllatinës së Epërme dhe deputet rajonal i Kuvendit të Parë të Vrajës (1927 - 1929), i mbrojti interesat e popullatës shqiptare të kësaj ane, duke iu kundërvënë haptas zbatimit të reformës agrare dhe kolonizimit të tokave shqiptare. Madje, për këtë, mori guxim t'i drejtohej me shkrim edhe vetë mbretit, Aleksandër Karagjorgjeviq, për padrejtësitë e shumta që u bëheshin shqiptarëve (telegrami i vitit 1928); mori pjesë aktive në dialogun e ashpër të krerëve shqiptarë me mbretin Aleksandër në shtëpinë e Tomë Popoviqit në Gjilan, të cilin e inicoi patrioti Hamdi Kurteshi, nga Pozherani, pas të cilit dialog mbreti, i revoltuar nga ajo që dëgjoi e kishte ndërprerë bisedën duke iu drejtuar shqiptarëve të pranishëm: "Nëse nuk jeni të kënaqur me këtë regjim, ja ku e keni Shqipërinë dhe Turqinë dhe mund të shkoni kur të doni!"(7); si kryetar shumëvjeçar vazhdimisht u interesua për shkollimin e fëmijëve shqiptarë të dymbëdhjetë fshatrave të Komunës së Sllatinës së Epërme. Madje, në vitin 1926, me kërkesën e tij, në shkollën e Sllatinës së Epërme u hap edhe paralelja e dytë për nxënësit shqiptarë; në vitin 1943 arriti ta shpëtojë familjen, vendlindjen, Vërbanin dhe gjashtë fshatra të tjera nga zullumi e terrori bullgar, duke shtyrë edhe vijën kufitare bullgaro-italiane. Këtë e bëri me ndihmën e qeverisë në Tiranë me ç'rast arriti të marrë edhe lejen nga Ministria e Arsimit për hapjen e shkollës së parë shqipe në Vërban (1943).

Për të gjithë këtë aktivitet, Zeqe Verbani vazhdimisht qe në shënjestër të pushteteve okupatore, sidomos serbo-malazeze e bullgare. Mu për ketë as vdekjen nuk e bëri në shtrat. Fati ia kishte caktuar që të vdesë me armë në dorë, ashtu siç ia kishte ndier zemra, intuita e tij, duke mbrojtur vatrën e vet, vendlindjen, tokat e veta. Shpeshherë u kishte thënë të vetëve: "Kohët janë të tilla sa që njeriu e ka vështirë të vdesë në shtrat nga vdekja natyrore". Dhe vërtet vdiq në këmbë. U vra me bombë, para shtëpisë, nga një përleshje me ushtarët fashistë italianë. U vra dhe shkoi kokë për kokë me një këmishëzi "Mareshale"(8).

Pas çlirimit nga okupatori fashist, kur Kosova dhe populli i saj me dhunë prapë mbeti në përbërjen e Jugosllavisë, por tani të AVNOJ-it, Zeqë Vërbani edhe për një kohë nga pushteti u konsiderua si personalitet antijugosllav(9), sikur edhe familja e tij. Madje, për një kohë nuk iu pranua as statusi i viktimës së terrorit fashist. Kjo u bë më vonë, dhe atë me insistimin e bijëve të tij, kur në fund, në vitin 1985, Këshilli Komunal i Lidhjes së Luftëtarëve të LANÇ-e të Vitisë ia pranoi këtë status.

[Mujë S. Berisha:“Zeqë Vërbani dhe koha e tij”, Prishtinë, 1997, fq.16]
____________________
(7) Tahir Z.Berisha, "Trojet që nuk shuhen", Prishtinë, 1995, fq.120
(8) "Mareshale" - titull ushtarak në ushtrinë italiane
(9) Me rastin e përjashtimit të Tahir Berishës, profesor në Gjilan, nga anëtarësia e LKJ-së, më 28.IX.1956, si një ndër "fajet" për këtë dënim ishte se "...është i biri i Zeqë Vërbanit". Ky shënim u mor në Muzeun e Revolucionit të Kosovës, në Prishtinë, nga "Pyetësori për Tahir Berishën, luftëtar dhe veteran i arsimit", hartuar më 4.XII.1991.