Biografia

Muje S.Berisha
Mujë Sokol Berisha u lind më 27. IX. 1943 në fshatin Vërban të Vitisë. Rrjedh nga një familje arsimdashëse, e dëshmuar në traditën e saj më se njëshekullore. Ka të kryer Fakultetin Filozofik në Prishtinë, Degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe dhe ka ndërtuar një karrierë të gjatë në misionin e shenjtë të edukimit dhe arsimimit të brezave të rinj, duke filluar si mësimdhënës e deri te pozita e drejtorit të disa institucioneve shkollore. Merret aktivisht me krijime letrare dhe shkrime publicistike. Deri më tani, ka botuar nëntë vepra dhe ka një tjetër në dorëshkrim.

Shkollimi
  • Shkollën fillore katër klasash e kreu në Sodovinë të Jerlive, klasat V dhe VI në tetëvjeçaren "Zenel Hajdini" në Goshicë  dhe klasat VII e VIII në tetëvjeçaren "M. Markoviq" në Viti;
  • Shkollën Normale dhe Fakultetin Filozofik – Degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe i mbaroi në Prishtinë;
  • E ka të dhënë provimin shtetëror për mësimdhënës nga lënda gjuhë dhe letërsi shqipe.
Puna
  • Karrierën e mësuesisë e ka filluar më 1 shtator 1961, kur u emërua mësues klasor në shkollën tetëvjeçare "Zenel Hajdini" në Goshicë, por, në ndërkohë, u angazhua të ligjërojë edhe lëndët: gjuhë dhe letërsi shqipe, gjuhë frënge dhe edukatë muzikore në klasat e larta V-VIII;
  • Në vitin shkollor 1961-1962 u caktua të punojë mësues në fshatin Vërban - paralele e ndarë e shkollës tetëvjeçare të Goshicës, duke vazhduar, njëkohësisht, të ligjëronte edhe në klasat e larta;
  • Në vitin shkollor 1964-1965, është regjistruar student i rregullt i Fakultetit Filozofik - Dega e gjuhës dhe letërsi shqipe. Pas kryerjes së shkallës së parë të këtij fakulteti, në vitin shkollor 1966-1967 u kthye përsëri të punojë arsimtar i gjuhës dhe letërsisë shqipe në tetëvjeçaren e Goshicës. Në ndërkohë, në mars të vitit 1967 shkoi në shërbimin ushtarak, ndërsa, pas kryerjes së këtij shërbimi (mars 1968), përsëri vazhdoi të punojë arsimtar i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në tetëvjeçaren e Goshicës;
  • Në vitin shkollor 1968-1969 u zgjodh  mësimdhënës i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në Shkollën e Mesme Bujqësor në Viti;
  • Në vitin shkollor 1969-1970 kaloi të punojë profesor i rregullt në gjimnazin "Zenel Hajdini" të Gjilanit - paralelet e ndara në Viti;
  • Në janar të vitit 1971 u emërua sekretar i Bashkësisë Vetëqeverisëse të Interesit të Arsimit në Viti.
  • Në vitin shkollor 1973-1974 u emërua drejtor i gjimnazit “Zenel Hajdini” në Viti;
  • Në qershor të vitit 1974 kalon me punë në Prishtinë pranë Këshillit të Lidhjes së Sindikatave të Kosovës në funksionin e sekretarit të Fondit për dhënien e bursave punëtorëve të rinj dhe fëmijëve të punëtorëve - nxënësve e studentëve, ku qëndroi deri në fund të vitit 1990, kur pushteti diskriminues serb e pushoi nga puna, duke pësuar fatin e shumë punëtorëve shqiptarë në kohën pas suprimimit të autonomisë së Kosovës. I gjendur në një situatë kur si i papunë iu rrezikua mbijetesa e familjes, u detyrua të merrej dhe me profesione të tjera.
  • Në vitin 1991 u punësua në ndërmarrjen tregtare "Universum Market" të Ferizajt – Njësia në Prishtinë, ku punoi deri kah mesi i vitit 1996. Pastaj, përsëri mbeti i papunë deri në fund të vitit 1999;
  • Pas përfundimit të luftës dhe ardhjes së lirisë, prej 1 shtator 2003 u emërua drejtor i kolegjit të parë kosovar "Aga Xhite" në Ferizaj, ndërkaq, gjatë viteve shkollore 2005-2006 – 2008 drejtor i kolegjit "Universum" në Prishtinë;
  • Pas pensionimit, në vitin 2008, u caktua drejtor i përgjithshëm i të dy këtyre kolegjeve të përmendura, të cilin funksion e ushtroi deri më 31 gusht 2012, kur edhe përfundimisht e mbylli karrierën e punës, një karrierë të gjatë në misionin e shenjtë - edukimin dhe arsimimin e brezave të rinj.
Shpërblimet
  • Gjatë punës së tij shumëvjeçare është shpërblyer me Dekoratë të Punës me Kurorë të Argjendtë nga Kryesia e RSFJ-së;
  • me Mirënjohje për kontribut të dhënë në arsim nga shkolla fillore "Zenel Hajdin" në Goshicë;
  • me Mirënjohje nga Shoqata e Veteranëve të Arsimit – Dega në Viti dhe Shoqata e Kultivimit të Traditës Kulturore – Historike "TRASHËGIMIA" në Viti për kontribut të veçantë në veprimtarinë edukative-arsimore dhe krijimtari letrare (e dhënë në kuadër të 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë);
  • me Pllakate për kontribut të çmuar në menaxhimin dhe administrimin e kolegjeve "Aga Xhite" në Ferizaj dhe "Universum" në Prishtinë;
  • me Mirënjohje dhe Çmimin "Nxënësit për poetin" për kontribut të çmuar në veprimtarinë edukative-arsimore dhe krijimtarinë letrare për fëmijë nga kolegji "Universum";
  • me Mirënjohje për bashkëpunimin e suksesshëm mes nxënësve, stafit arsimor, shkrimtarëve e krijuesve letrar , në organizimin e orëve letrare dhe dashurinë e ndërsjellë për librin në komunën e Vitisë, (korrespondon me 28 Nëntorit - Ditën e Flamurit);
  • me Mirënjohje për kontributin e dhënë në fushën e artit të shkruar nga Komuna e Vitisë;
  • Çmimin Për Vepër Jetësore - Laureatët 2023 nga Komuna e Vitisë;
  • edhe të tjera.

Veprimtaria letrare-publicistike

Prej rinisë së hershme është interesuar për letërsi, duke qenë një lexues i pasionuar. Me krijime letrare ka filluar të merret qysh si nxënës i tetëvjeçares në Goshicë, ku punimet e para i ka botuar në fletushkën "Filizat", ndërsa intensivisht që nga vitet e 90-ta të shekullit XX, shkruan në poezi dhe prozë. Bashkëpunoi me revistat "Pionieri", "Zog mëngjesi", "Mollëkuqja" etj., si dhe me gazetat: "Rilindja", "Bujku", "Nacional", etj.

Merret edhe me shkrime publicistike. Deri tani, ka botuar këto vepra:

  1. Zeqë Vërbani dhe koha e tij”, monografi, “Fjala Jonë”, Prishtinë, 1997;
  2. Kalorës kaltërsie”, poezi për fëmijë, “Iliriku”, Prishtinë, 2000;
  3. Piktori i Vogël”, tregime për fëmijë, “Rozafa”, Prishtinë, 2002;
  4. Lulja e zemrës”, roman për fëmijë e të rinj, “Rozafa”, Prishtinë, 2010;
  5. 10 vjet drite e rrite”, monografi për kolegjin “Aga Xhite” dhe “Universum”, “Kolegji Universum”, Prishtinë, 2013;
  6. Dhurata më e shtrenjtë”, përmbledhje me poezi për fëmijë, “SAS”, Prishtinë, 2013;
  7. Sundimtari i ri dhe kutia magjike” - përmbledhje tregimesh për fëmijë, 2016;
  8. Tahir Z. Berisha - një jetë në mision të dijes dhe të idealeve kombëtare”, monografi, në bashkautorësi me Hamza Halabakun, 2018;
  9. Familja emblematike Myftiu nga Sllatina e Anamoravës - begati e traditës atdhetare, arsimore dhe fetare shqiptare (shënime gjenealogjike dhe historike)”, monografi, në bashkautorësi me Fahri B. Hoxhën, 2021.
Është i përfshirë në Leksikonin e Shkrimtarëve Shqiptarë 1501-2001, të Hasan Hasanit, Prishtinë, 2003, dhe në antologjinë e Hysen Këqikut: "Psherëtimë për tokën" - Panoramë e krijuesve letrarë të Kosovës Juglindore, (1939-2003), Gjilan, 2004.

Merret aktivisht me shkrime. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe e Krijuesve "Ramadan Musliu" në Viti.

Jeton dhe vepron në Prishtinë. Emajl adresa: muje.s.berisha @ hotmail.com

No comments: