Monday 31 December 2018

Tahir Z. Berisha - Një Jetë Në Mision Të Dijes Dhe Të Idealeve Kombëtare (2018)


Tahir Z. Berisha - Monografi

Hamza Halabaku
 Mujë S. Berisha

TAHIR Z. BERISHA
Një jetë në mision të dijes dhe të idealeve kombëtare

 (MONOGRAFI)

“Ishe një mbret i llojit të vet
Kolos i pamposhtur
në tallaze jete,
N’ecejaket e Tua,
n’furtuna të kohës
Qëndrove, s’u sprapse,
ideal brezash mbete.”

*
Pishtarëve të arsimit shqip
– mendjendriturve, të të gjithë brezave, që me shkronjat arbdhetare hapën horizonte diturie. Paçin dritë!


Shtëpia botuese
FAIK KONICA
PRISHTINË, 2018

Redaktor
Mehmet Halimi, akademik
 
Recensues
Prof. dr. Fatmir Terziu
Zenun Rexhepi, prof.

Redaktor gjuhësor
Sulejman Dërmaku

Realizimi kompjuterik
Gazmend T. Berisha
Sulejman Dërmaku

Fotografitë i përzgjodhi
Gazmend T. Berisha

Korrektor
Gazmend T. Berisha

Kopertina
Faton Bajgora

U shtyp në shtypshkronjën:
DritaPress, Prishtinë
Tetor 2018

Tirazhi
500 copë

ISBN 978-9951-06-712-2


PËRMBAJTJA:Fq.
FJALA E REDAKTORIT 7
Në vend të parathënies 13
PROLOG 21
PJESA 1 23
KREU I - VËRBANI – VENDLINDJA E TAHIR Z. BERISHËS 25
KREU II - GJENEALOGJIA FAMILJARE E TAHIR Z. BERISHËS 33
KREU III - NJË FËMIJËRI E LUMTUR DHE ME PËRKËDHELI 39
PJESA 2 53
KREU IV - LAMTUMIRË, FËMIJËRI E LUMTUR 55
PJESA 3 61
KREU V - RRUGËTIMI NË PËRGATITJEN PËR MISIONIN E SHENJTË 63
KREU VI - MËSUESI I POPULLIT 67
KREU VII - TRANSFERIMI NË PRISHTINË 81
KREU VIII - KTHIMI NË VENDLINDJE DHE MPOSHTJA E SËMUNDJES 85
PJESA 4 97
KREU IX - KALIMI ME PUNË NË GJILAN – SUKSESET DHE PERIPECITË E NJË MËSIMDHËNËSI TË RI E PERSPEKTIV 99
KREU X - RIKTHIMI NË PUNË ARSIMORE 119
PJESA 5 133
KREU XI - PËRSËRI NË PRISHTINË NË DETYRA ADMINISTRATIVE DHE ARSIMORE 135
KREU XII - INSPEKTOR DHE KRYEINSPEKTOR I INSPEKTORATIT KRAHINOR TË ARSIMIT – NJË KTHIM I SËRISHËM, I MERITUAR, NË RRJEDHAT ARSIMORE TË KOSOVËS 139
KREU XIII - TAKIMET E VETERANËVE TË ARSIMIT TË KOSOVËS –INICIATIVË E ÇMUAR PËR RUAJTJEN E AUTORITETIT TË PISHTARËVE TË DRITËS DHE KULTIVIMIN E TRADITAVE POZITIVE TË SHKOLLËS 165
PJESA 6 183
KREU XIV - BALLAFAQIMET DHE MOSPAJTIMET E TAHIR Z. BERISHËS ME POLITIKAT HEGJEMONISTE SHTETËRORE JUGOSLLAVE - SERBE NDAJ SHQIPTARËVE DHE TË DREJTAVE TË TYRE KOMBËTARE 185
KREU XV - PËR ASNJË ÇAST JO SPRAPSJE NGA PËRCAKTIMET PËR T’U VËNË NË ANËN E SË DREJTËS, PËR BARAZI KOMBËTARE DHE MËVEHTËSI SHOQËRORE-POLITIKE TË KSA TË KOSOVËS 207
PJESA 7 213
KREU XVI - NË VORBULLAT E KOHËVE TË TRAZUARA 215
KREU XVII - KALIMI TEJ KUFIRIT TË KOSOVËS (NË MAQEDONI E TURQI) - NDJENJË PËRJETIMI TRISHTUES PREJ REFUGJATI 221
KREU XVIII - REFUGJAT NË ANGLI – ME MENDJE E ZEMËR NË KOSOVË 229
KREU XIX - SHKRIME DHE HULUMTIME; KONTAKTE DHE INTERVISTA ME PERSONALITETE TË SHQUARA 255
KREU XX - MËRGATA SHQIPTARE NË ANGLI 261
KREU XXI - SHKRIME PUBLICISTIKE NGA ANGLIA 269
KREU XXII - NJË VEND NDERI NË LIBRIN “100 SHQIPTARËT E BRITANISË” PËR ANGAZHIMET NË AFIRMIMIN E VLERAVE KOMBËTARE DHE TË ÇËSHTJES SHQIPTARE NË PËRGJITHËSI 293
PJESA 8 295
KREU XXIII - PËRPJEKJET LETRARE 297
KREU XXIV - VEPRIMTARIA NË FUSHËN E PUBLICISTIKËS DHE TË GAZETARISË 311
KREU XXV - PËRURIMI I VEPRAVE PUBLICISTIKE – SHPALOSJE NË NJË KRONOLOGJI 351
KREU XXVI - VIZITAT NË SHQIPËRI 375
PJESA 9 385
KREU XXVII - INTERVISTAT (TË DHËNA DHE TË MARRA) 387
KREU XXVIII - KORRESPODENCË E GJERË DHE E PASUR 393
PJESA 10 405
KREU XXIX - PJESËMARRJA DHE ANGAZHIMI I TAHIR Z. BERISHËS NË AKTIVITETET ARSIMORE - KULTURORE DHE SHOQËRORE - POLITIKE 407
KREU XXX - PASIONET E TAHIR Z BERISHËS 417
KREU XXXI - ANEKDOTAT DHE RRËFENJAT (GAZMORE) TË TAHIR Z. BERISHËS DHE LIDHUR ME TË 429
PJESA 11 449
KREU XXXII - E BUKUR ËSHTË JETA ME TË MIRAT DHE PROBLEMET QË SJELL, POR VDEKJA E PASHMANGSHME 451
KREU XXXIII - VDEKJA DHE PËRCJELLJA E FUNDIT 455
KREU XXXIV - SHKRIME PËRKUJTIMI DHE NGUSHËLLIMI ME RASTIN E VDEKJES SË TAHIR Z. BERISHËS DHE TË TJERA (POST MORTEM) NGA MIQ, KOLEGË, NXËNËS 461
PJESA 12 499
KREU XXXV - TAHIR Z. BERISHA NË KUJTIMET E MIQVE, TË KOLEGËVE BASHKËPUNËTORË, TË ISH-NXËNËSVE 501
PJESA 13 559
KREU XXXVI - OPINIONE PËR VEPRAT LETRARE DHE PUBLICISTIKE TË TAHIR Z. BERISHËS  561
PJESA 14 637
KREU XXXVII - RECENSIONE 639
KREU XXXVIII - PËRMBYLLJE (SUMMARY) 645
PJESA 15 655
SHTOJCA I - PASQYRË KRONOLOGJIKE NGA BIOGRAFIA E TAHIR Z. BERISHËS PREJ VITIT NË VIT 657
SHTOJCA II - DEKORATA, MIRËNJOHJE, FALËNDERIME ETJ 661
SHTOJCA III - SHËNIME BIBLIOGRAFIKE 665
SHTOJCA IV - LITERATURA DHE BURIME TË TJERA 673
SHTOJCA V - FAKSIMILE 679
SHTOJCA VI - FOTO FAMILJARE 691
SHËNIME PËR AUTORËT  709
PËRMBAJTJA 711
SHTOJCË E VEÇANTË 727


* * *


Akademik Mehmet Halimi

FJALA E REDAKTORIT

Ndjeva kënaqësi dhe nderim të veçantë kolegjial e intelektual, shoqëror e njerëzor, kur dy autorët e nderuar, Hamza Halabaku dhe Mujë S. Berisha, më propozuan dhe m’u lutën që të jem redaktor i veprës së tyre monografike me titull: “NJË JETË NË MISION TË DIJES DHE TË IDEALEVE KOMBËTARE”, për faktin se Profesor Tahir Z. Berishën e kisha pasur profesor, shok e mik besnik, fqinj të respektuar dhe bashkëpunëtor e “vek për yrrnek”, si edukator arsimor i vyer e i rryer i arsimit kombëtar, nga njëra anë, por më kaploi një drithërimë e sëmbim zemre e dilemë e ndërgjegjësisë dhe përgjegjësisë se sa do të arrij ta ndriçoj e vlerësoj veprën në fjalë, që është shkruar e hartuar për këtë kolos të kulturës e misionar të arsimit kombëtar, nga ana tjetër.

Mirëpo, këtu, nuk do të flas drejtpërdrejt e kryesisht për protagonistin e veprës në fjalë, për Prof. Tahir Z. Berishën. Për Të, kanë folur e kanë shkruar dy autorët e monografisë në fjalë, por do të përpiqem me të gjitha aftësitë e mia mendore e përvojën time intelektuale të studioj e të analizoj, të çmoj e të vlerësoj punën titanike, djersën e mundin e pakursyer të bashkautorëve të monografisë në fjalë, se në ç’masë ata ia kanë arritur qëllimit të ndriçojnë dhe t’ia shpjegojnë publikut lexues punën gjigandeske të këtij kolosi e misionari të arsimit tonë kombëtar. E, pra, rrjedhimisht, merret vesh, se, duke folur për vlerat e veprës në fjalë, vijimisht zihet ngoje personazhi kryesor, si strumbullari dhe epiqendra e veprës – Prof. Tahir Z. Berisha.

Duke i çmuar e duke i nderuar bashkautorët e kësaj monografie, sa vëllimore, po aq cilësore, sa të rëndësishme e të pëlqyeshme, po aq të mirëpritur, jo vetëm si shokë e miq seriozë e dinjitozë, por edhe si shkrimtarë e poetë, si intelektualë të rryer e të vyer të shkrimit shqip, më mbante besa e më ushqente shpresa dhe bindja e plotë se lënda e mirë ka rënë në duar të mjeshtërve të mirë e të sigurt. Ndaj, me kureshtje të madhe e me interesim të veçantë, me padurim, me vullnet e me gëzim të madh i hyra leximit të dorëshkrimit të monografisë në fjalë me shënime, sepse ai që lexon me shënime lexon dy herë. Kjo vepër i kushtohet një personaliteti me përmasa universale e shumëdimensionale, i cili, me punën e tij kolosale, la gjurmë të dalluara e të dokumentuara në historinë e arsimit e të kulturës sonë kombëtare, punë me të cilën krenohet e mburret mbarë kombi shqiptar. Sepse ai, jetoi e veproi, punoi e krijoi vlera të arsimit tonë kombëtar, e madje edhe vetë u bë vlerë e rëndësishme kombëtare, e vlera është gjithçka, e jo lavdia. Prandaj, Ju përgëzoj, se edhe ju, si bashkautorë, duhet të mburreni e të krenoheni që keni shkruar e keni shestuar, keni trajtuar e keni analizuar dhe keni ndriçuar gjithanshëm, në hollësi e detaje, duke mos lënë asnjë segment të jetës së Prof. Tahir Z. Berishës pa nxjerrë në dritë e pa vënë në spikamë gjithë veprimtarinë e tij arsimore e publicistiko-shkencore të një personaliteti me nam e famë, që ia la nderin popullit e atdheut të vet. Ai, ashtu siç erdhi i pastër në këtë jetë, ashtu i pastër e me nder shkoi nga kjo jetë, duke lënë si një meteor shkëlqimin e ndritshëm prapa. Sepse, ai na la veprat e korpusin e katër vëllimeve enciklopedike “EMRA QË NUK HARROHEN”, që kapin me mijëra faqe e lëndë të pasur nga fusha të ndryshme të arsimit e të dijes, që do t’u shërbejnë brezave në vijim.

Duke lexuar veprën në fjalë, m’u duk sikur hyra nga një deriçkë, por sapo hyra në brendinë e saj m’u shpërfaq një horizont i gjerë e i pafund, me një mal të dhënash, faktesh e argumentesh, ngjarje e ndodhi, vepra e aksione, një thellësi oqeanike e një freski moralo-didaktike dhe etiko-estetike, sikur më stolisën e më pajisën me njohuri e dituri më të pasura, më të gjera e më të thella për punën e madhe e të nduarnduart edukativo-arsimore e publuicistiko-shkencore të këtij burri të madh të kombit shqiptar, siç ishte Prof. Tahir Z. Berisha. Ndaj, kur e shfletova, e lexova dhe e analizova në universin tim mendor, u binda se as besa e as shpresa nuk më zhgënjyen, as syri e as mendja nuk më gënjyen... Sepse, veprën në fjalë, e lexova me një frymë, me gëzim, durim e interesim të madh, me ëndje e kënaqësi, e nuk mund ta lëshoja nga dora as ta heqja nga mendja derisa i dola në fund. Gjatë leximit ndjeva një freskim e pasurim me vlera artistike e historike, shpirtërore e njerëzore. Dhe me këtë rast e çast vërejta seriozitetin, saktësinë e maturinë e bashkautorëve, qasjen e tyre të kujdesshme, gjuhën e pastër të gurrës popullore të letrarizuar e fjalët të përdorura me vend e me kripë, e kripa me karar, sepse “fjala është dukat, kur ajo thuhet me grat” (fj. urt. pop.), stilin e rrjedhshëm e mbarështimin e lëndës arsyeshëm e logjikshëm.

Autorët, pra, pa dyshim shihet se kanë bërë një “lavër” të mirë e të thellë, sipas vendit e rendit, duke mos lënë “lavrën laknuer”, siç thotë bujku i mirë, duke mos anashkaluar e duke mos harruar asnjë detaj sado të vogël të veprimtarisë së pasur e të ngjeshur, të gjerë e të thellë të protagonistit të tyre, që ishte si strumbullar i veprës në fjalë, në fushën e arsimit tonë kombëtar, të Prof. Tahir Z. Berishës.

Të gjitha këto kishin mbështetje dhe parim moralo-intelektual dhe, duke qenë të udhëhequr e të prirur nga respekti e kultivimi i ndërgjegjes e përgjegjësisë së lartë njerëzore, autorët në parathënien e tyre me modesti theksojnë: “Ne autorët e kësaj monografie, morëm guximin, mprehëm penën dhe angazhuam potencialet tona mendore që t’i hyjmë punës në shkrimin e këtij libri monografik, duke shpresuar se po lajmë një borxh për një njeri tonin në kuptimin e gjerë të fjalës, për një intelektual mendjendritur nga fusha e arsimit dhe kulturës; për një atdhetar të paepur në mbrojtjen e kauzës kombëtare - për Tahir Z. Berishën” (Cit. nga parathënia, f. 13).

Suksesi në realizimin e kësaj monografie të autorëve në fjalë, rezulton nga fakti se ata zgjodhën një temë shestimi e trajtimi të qëlluar për një personalitet të shquar të arsimit tonë kombëtar – për Tahir Z. Berishën, i cili e ndoqi rrugën e veteranëve tanë prijatarë, si të: Mehmet Gjevorit, Beqir Kastratit, Shevqet Veliut, Zeqir Bajramit, Idriz Ajetit, Ramadan Jusufit e shumë veteranëve të tjerë, që, siç shprehet Ismail Kadare: “Kombet nuk i kapërcejnë krizat ekonomike dhe psikologjike pa përpjekjet e një elite, që duhet të jetë laborator i kulturës, i përparimit dhe qytetërimit të tij”. Kësaj elite i takon edhe Prof. Tahir Z. Berisha, i cili, si korife i arsimit kombëtar, i thelloi, i intensifikoi dhe i zgjeroi aksionet e metodat në fushën e arsimit shqip, duke organizuar e duke udhëhequr dhjetë Takime të veteranëve të arsimit në Kosovë. Është kjo një temë, sa fisnike e historike, po aq e etshme, e nevojshme dhe kureshtare për të njohur e për të mësuar misionin e shenjtë e të shtrenjtë, të vepruar e të ushtruar nga misionari i arsimit tonë kombëtar, Prof. Tahir Z. Berisha, i cili punoi me zell e përkushtim për emancipimin dhe arsimimin tonë shoqëror e kombëtar.

Pikërisht, ky pishtar dhe misionar i arsimit tonë kombëtar, duke përhapur rreze drite të dijes njerëzore, sforcoi e pasuroi themelet e kështjellës arsimore, që do të shërbejë si shtyllë kurrizore e kulturës sonë kombëtare shqiptare për të sotmen dhe të ardhmen. Në këtë mënyrë, siç vënë në pah autorët, Tahir Z. Berishës i takon merita e lëvduar si prijatar punëmbarë, i cili krijoi kushte dhe i ofroi mundësi zhvillimit mbarëkombëtar në fushën e arsimimit në gjuhën tonë të ëmbël, të shenjtë e të shtrenjtë shqipe, që është tapia e truallit tonë të lashtë autokton arbëror dhe simbolizon identitetin tonë kombëtar.

Bashkautorët e monografisë në fjalë, Hamza Halabaku dhe Mujë S. Berisha, si dy projektues e arkitektë të mirë e të vyer, lëndën e tyre studimore e mbarështuan me kujdes e dashuri, me vullnet e përkushtim, me përgjegjësi e saktësi, duke e organizuar e duke e ndarë veprën në 15 pjesë e në 38 krerë, të shtruar në mbi 700 faqe tekst libror, të cilët përbëjnë shtyllën kurrizore të veprës monografike në fjalë. Nëpër këto pjesë e nëpër këta krerë, ata me mjeshtëri endin dhe vekojnë indin lidhnor nëpërmjet ngjarjeve e ndodhive, fakteve e argumenteve gojore e shkrimore, arkivore, personale e shoqërore, që përbëjnë eshtërinë skeletore të monografisë dhe natyrshëm e logjikshëm ndërtojnë e ndërlidhin ngushtë formën dhe përmbajtjen si një tërësi të plotë, unike, të një vepre organike e biografike, arsimore e publicistiko-shkencore, me njohuri të thella të rrjedhave jetësore të këtij misionari të shquar të arsimit tonë kombëtar.

Veprës në fjalë i paraprin parathënia e shkurtër, por e ngjeshur, ku autorët shpalosin synimet e tyre: Të prirur nga dëshira e vullneti, nga synimet e qëllimet dhe të vendosur për të realizuar këtë monografi në të cilën në mënyrë gjithëpërfshirëse arrihet ndriçimi i plotë dhe i dokumentuar i jetës, i rrethanave të shkollimit dhe veprimtaria e Prof. Tahir Z. Berishës, si mësues e profesor, si drejtor e inspektor, si kryeinspektor i arsimit e shkrimtar dhe si veprimtar e atdhetar guximtar i flaktë e i zjarrtë, duke vënë në rrezik shpesh edhe jetën që nga periudha e Luftës së Dytë Botërore e deri në frymëmarrjen e grahmat e fundit të jetës së tij, ai punoi e veproi për çështjen kombëtare, duke punuar e duke luftuar pandalshëm, shkoi gjak e lak me armiqtë shovinistë shekullorë serbosllavë.

Nga sa u tha deri këtu, shihet qartë se monografia e autorëve Hamza Halabaku dhe Mujë S. Berisha, e emërtuar me titullin kuptimplotë, sinjalizues e shpjegues, në funksion të idealeve kombëtare: “NJË JETË NË MISION TË DIJES DHE TË IDEALEVE KOMBËTARE”, nuk ishte një punë as e lehtë dhe as e thjeshtë, nuk ishte as një përmbledhje a një regjistër faktesh e argumentesh me të cilët ndeshet dhe lufton protagonisti i tyre, Prof. Tahir Z. Berisha. Monografia në fjalë është një monument artistiko-letrar e historiko-shkencor, të cilin penda e dalta e dy bashkautorëve e gdhendi dhe e latoi, e gatoi dhe e brumoi, e renditi dhe e ngriti, e përpunoi dhe e lartësoi, duke vënë në spikamë durimin dhe guximin, aftësinë dhe mjeshtërinë, trimërinë dhe diplomacinë dhe artikulimet e vlerave fisnike dhe bujare të popullit të vet më të vjetër të Ballkanit. Tahir Z. Berisha pati guxim dhe reagoi në momente të caktuara, luftoi dhe mbrojti të drejtat e popullit të vet të pambrojtur, të shtypur e të përbuzur nga shovinistët e hegjemonistët serbomëdhenj monarkofashistë e deri te satrapi e kasapi i Ballkanit – Sllobodan Millosheviqi, i cili, si një xhelat sadist që vret e pret e kurrë nuk ngopet me krime e gjenocid të paparë në historinë e njerëzimit, jo vetëm ndaj popullit shqiptar, por ndaj të gjithë popujve liridashës.

Autorët, Hamza Halabaku e Mujë S. Berisha, i kuptuan drejt e qartë synimet e qëllimet e promotorit – Tahir Z. Berishës, sepse shkrimtari-shkrimtarin e artisti-artistin dhe mendimtari-mendimtarin e kuptojnë më së miri. Bashkautorët e kësaj monografie kanë analizuar dhe kanë studiuar, kanë ndriçuar e kanë zbërthyer në mënyrë të përkryer shpirtin arsimdashës e atdhedashës të Tahir Z. Berishës, shpirtin guximtar të shqiptarit tradicional “shiko sojin nga ka ardhë - dardha pikë nën dardhë”, që, sipas traditës e edukatës patriotike të babait Zeqë Vërbani, çdo shqiptar, në çdo kohë e në çdo rrezik, duhet t’i dalë zot popullit të vet e truallit atëror e stërgjyshor. Vetë Prof. Tahir Z. Berisha shpesh thoshte: “Çdo ngjarje që nuk shkruhet, nuk ruhet” ose “ajo që nuk shkruhet, nuk ka ndodhur”. Analogji me këtë si dialektolog, në ekspeditat e mia dialektologjike, më rastisi të dëgjoja nga një plak i zgjuar në Karadak: “Kujtesa është gjah, e shkrimi është kurth”. Ndaj, shikuar nga ky kënd: ashtu siç e zë kurthi gjahun, e nuk e lëshon të ikë dot, po ashtu edhe shkrimi e përjetëson kujtesën. E meqë Prof. Tahir Z. Berisha, ishte i vetëdijshëm për këtë, ai la vepra të shkruara, ditar shënimesh e dokumente, me të cilat bashkautorët, në shenjë nderimi e kujtimi, sajuan dhe hartuan një vepër madhore e monumentale, që përfaqëson një kryepërmendore kushtuar Prof. Tahir Z. Berishës, ku është përmbledhur e është shkrirë tërë jeta dhe veprimtaria jetësore e një vigani e kolosi dhe një korifeu të arsimit tonë kombëtar, i cili një jetë të tërë punoi e veproi në mision të dijes dhe të idealeve kombëtare. Ndaj, më së miri misionin e mësuesit si misionar arsimor e ka portretizuar shkrimtari Llazar Siliqi: “Edhe kur kokën do t’ua mbulojnë thinjat; në mend do sillni një emën nderues; emnin e bukur porsi fëminija; emnin e thjeshtë, por të madh MËSUES”.

Qoftë i përjetshëm kujtimi e nderimi për Prof. Tahir Z. Berishën!

Dhe u lumtë mendja e penda autorëve Hamza Halabakut dhe Mujë S. Berishës, që na dhuruan një vepër madhore e monumentale për korifeun e arsimit tonë kombëtar –Tahir Z. Berishën, të cilit i takon përjetësia në kujtesën e popullit dhe të atdheut të vet.

Akademik, Mehmet HALIMI

No comments: