Saturday 1 February 2014

Kundër kolonizimit të tokave shqiptare

“Këto toka na mbetën nga prindërit dhe stërgjyshë tanë… Ato për ne janë jetë… Rrojtja pa to është vdekje.” (Vasfi Samim Visoka)

Pas mbarimit të Luftës së Parë Ballkanike, çlirimin nga robëria turke, një pjesë e popullatës shqiptare e përjetoi si okupim nga pushteti serbo-malazez. Megjithë premtimet e qeverisë serbe në vigjiljen e luftës kundër Perandorisë Osmane se populli aleat shqiptar në Kosovë do të gëzojë të drejta të gjera, ai iu nënshtrua një terrori dhe gjenocidi të paparë. Vrasjet e masakrat, dhunimet, djegiet e shtëpive etj., ishin këto pamje të viteve pas luftërave ballkanike, por edhe më vonë. Të tilla pamje trishtuese pati në të gjitha viset e pushtuara shqiptare. Edhe në trevën e Anamoravës, po ashtu. Për këto ngjarje tragjike informoi shtypi evropian i kohës. Publicisti Leo Freundlich, në organin "Albanische Korrespondenz" jepte kronika të përgjakshme, një pjesë të të cilave i mblodhi dhe i botoi në Vjenë, më 1913, me titull "Albaniens Golgotha" ("Golgota shqiptare"). Me këto shkrime "Frojndlihu e quante të nevojshme që në emër të humanizmit, qytetërimit dhe të popullit fatkeq shqiptar t'u drejtohej qeverive të fuqive të mëdha dhe mbarë opinionit evropian për ndihmë dhe mirëkuptim"(12). Mirëpo, shumicës së këtyre qeverive sikur nuk u bënin përshtypje informatat për krimet e ushtrisë çetnike serbe në fshatrat Trestenik, Komogllavë, Vërban, Lubishtë, Gjylekar, Tërpezë, Brest, Korbliq, Shashare, Letnicë, Goshicë, Kabash, Mogillë etj., në të cilat sipas shkrimeve të këtij publicisti thuhej se në 29 fshatra të Karadakut janë djegur 280 ekonomi të shqiptarëve muslimanë, kurse vetëm në fshatrat e përmendura të Moravës së Epërme, u therrën në mënyrë mizore 238 burra. Vetëm në Vërban, "në vitet 1912-13, ushtria serbe i vrau mbi 20 vërbanas"(13).

Për shkak të kësaj shtypjeje të egër dhe krimeve që bënte ky pushtet mizor mbi popullatën shqiptare, një numër i njerëzve shpërngulen në Turqi dhe në territorin e Shqipërisë së çliruar. Në shtëpitë dhe tokat e të shpërngulurve vendosej elementi sllav. Ky ishte edhe fillimi i kolonizimit të trevave shqiptare, "... që pikësynonte qysh moti zhdukjen e farës së pasardhësve të ilirëve"(14).

Punët rreth kolonizimit përkohësisht i ndërpreu shpërthimi i Luftës së Parë Botërore, për të vazhduar menjëherë pas përfundimit të saj, kur tokat shqiptare u ripushtuan nga i njëjti pushtues. Megjithatë, "... forma ligjore iu dha me Dekretligjin mbi kolonizimin e viseve jugore të 24.X.1920 dhe të tjera dispozita"(15). Ky proces zgjati deri në vitin 1938. Regjimi sundues serbomadh "...me rastin e zbatimit të kolonizimit, nuk i përfilli interesat e popullatës vendëse, para së gjithash të shqiptarëve, të cilët përbënin shumicën e popullsisë"(16). Në të vërtetë, me kolonizimin synohej të vihej një baraspeshë etnike që të sundoheshin më lehtë vendet e pushtuara. Për t'ia arritur këtij qëllimi, fshatarëve ua merrnin (uzurponin) tokat, të cilat i kishin shfrytëzuar shekuj me radhë, madje edhe tokat të cilat i kishin me tapi, duke ua dhënë pastaj kolonistëve arat e bukës, livadhet e meratë. E shqiptari gjithmonë ka qenë i lidhur ngushtë me tokën si burim i gjallimit dhe i forcës për të qëndruar dhe mbijetuar. "Fshehtësia më e madhe e qëndrimit ende në këmbë të popullit shqiptar, me gjithë tragjeditë historike që jetoi edhe me gjithë gjakun e njomë që ka derdhur ndërmjet vargjeve të shekujve, mund të shpjegohet vetëm e vetëm me lidhjet shpirtërore që ka me tokën, e sidomos me ndjesinë e racës për arat e vatrat e veta"(17).

Kolonizimi së pari filloi në trevat rreth Gjilanit(18), e pastaj u zgjerua edhe në trevat e tjera të Kosovës. "Kështu, në 61 vendbanime të këtij rrethi u kolonizuan 1142 familje serbe e malazeze"(19). Vetëm në komunën e Sllatinës së Epërme u vendosën 294 familje në këto fshatra: Sllatinë e Epërme 7, Sodovinë e Çerkezëve 62, Gërmovë 50, Goshicë 40, Mirasalë 16, ndërsa në fshatin krejtësisht të ri kolonist, Tankosiq, i pagëzuar me emrin e organizatorit dhe instruktorit të njohur të çetave komite, Voja Tankosiqit, u vendosën 119 familje koloniste, të cilave pushteti ua ndërtoi shtëpitë sipas planit të njëjtë e të veshura me llamarinë. Këtyre kolonistëve "...kryesisht iu nda toka që iu muar me të padrejtë fshatarëve shqiptarë të Sllatinës së Epërme dhe të Ramjanit"(20). Ky veprim i pushtetit shkaktoi shumë ngatërresa e mosmarrëveshje ndërmjet vendësve autoktonë dhe kolonistëve, i cili u përdor edhe si mjet presioni ndaj popullatës shqiptare për t'u shpërngulur nga trojet e veta etnike.

Zeqë Vërbani nuk mund t'i shikonte me indiferentizëm këto padrejtësi që u bëheshin fshatarëve nga ana e pushtetit dhe kolonistëve. Traumat e tyre i përjetoi si të vetat. Meqë edhe vetë ishte bir fshatari, e dinte se toka e bukës dhe kullosat për fshatarin kanë rëndësi jetike. Prandaj, i revoltuar nga tërë këto të këqia, që u bëheshin fshatarëve shqiptarë, mori guximin që, si kryetar komune në Sllatinë të Epërme, e pastaj edhe si deputet i Kuvendit të Parë të Krahinës së Vrajës, të reagojë haptas duke u vënë në anën e popullit të vet. Së pari këtë e bëri bashkë me parinë shqiptare të rrethit të Gjilanit në takimin me mbretin Aleksandër Karagjorgjeviqin, në shtëpinë e deputetit dinak Tomë Popoviqit, në Gjilan, kur mbreti e vizitoi Kosovën në fillim të vitit 1927. Në atë takim, patrioti, Hamdi Kurteshi, i nxitur nga interesimi i mbretit për gjendjen e shqiptarëve, e hap një dialog të ashpër, duke iu ankuar se me masat e reformës agrare ishte rrezikuar ekzistenca e fshatarësisë shqiptare dhe ishte shtuar pakënaqësia e tyre. Mbreti, i revoltuar nga ato fjalë që dëgjoi nga Hamdi Kurteshi dhe të tjerët, ishte zemëruar keq dhe, pa e pirë kafenë, u ishte drejtuar të pranishmëvet me këto fjalë kërcënuese: "Nëse nuk jeni të kënaqur me këtë regjim, ja ku e keni Shqipërinë dhe Turqinë dhe mund të shkoni kur të doni!". Pas këtyre fjalëve, biseda ishte ndërprerë si e padëshirueshme për të dy palët, ndërsa te përfaqësuesit shqiptarë kishte lënë përshtypje shumë të keqe.

Paria e Anamoravës në vizitë te
mbreti Aleksandër Karagjorgjeviqi në Beograd (19.02.1927)


Rreshti I në këmbë (nga e majta): Mehmet Devaja, Feriz Llashtica, Hajdar Demosha nga Begunca, Zeqir Sejdiu - Zeqë Vërbani, Rexhë Kurdia nga Komogllava, Musë Tomaku nga Pograxha; Rreshti II (në këmbë): Hamdi Kurteshi nga Pozherani, Rashit Llashtica, Adil Agë Dobërçani, Sinan Staneci, Kamber Dani nga Hogoshti, Jonuz Përlepnica, Shefki Zhegra, Veli Kopërnica; Rreshti III (ulur): Jakup Karaçeva, Tomë Popoviqi, Haxhi Jusuf Shkodriqi nga Desivojca, Sejdë Budrika, Islam Pira nga Pozherani; Rreshti IV (ulur këmbëkryq): Ramiz Kabashi, Osman Agë Muçivërca, Sali Fejza nga Hogoshti, Hafiz Osmani nga Dobërçani dhe Ramadan Shipashnica.

Për ta zbutur sado pak "incidentin", Tomë Popoviqi e merr iniciativën që një delegacion i parisë shqiptare të kësaj ane ta vizitojë mbretin Aleksandër në Beograd. Kjo vizitë realizohet më 19.II.1927, me pjesëmarrjen e 23 përfaqësuesve shqiptarë. Ndër ta ishte edhe Zeqë Vërbani (është ruajtur fotografia). Sipas rrëfimeve të Zeqës, pas kthimit nga Beogradi, dhe kujtimeve të mëvonshme të disa pjesëmarrësve të vizitës në Beograd, delegacioni ishte pritur mirë nga mbreti dhe kryetari i qeverisë. Madje, mbreti secilit ia kishte dhuruar nga një kuti duhani të gravuar me kurorën mbretërore, emrin dhe datën e vizitës, si shenjë falënderimi për peshqeshet që këta ia kishin dhuruar mbretit (qilima, jana, etj.). Me atë rast mbreti Aleksandër iu kishte premtuar mysafirëve se do të merreshin masa urgjente për korigjimin e gabimeve lidhur me zbatimin e reformës agrare dhe përmirësimin e gjendjes së përgjithshme në rrethin e Gjilanit. Po ashtu, u kishte premtuar se nëse Partia jugosllave radikale do të fitonte përsëri në zgjedhje, së shpejti do të realizohej projekti për ndërtimin e hekurudhës Ferizaj - Gjilan - Bujanoc. Edhe mysafirët u ishin zotuar mikëpritësve të saj se do të përkrahnin këtë parti, duke ua siguruar votat kandidatëve të saj. Lidhur me këtë takim dhe me pjesëmarrjen e Zeqë Vërbanit në të, janë ruajtur edhe anekdota.

Meqë, as përkundër premtimeve të mbretit, pushteti nuk ndërmori asgjë për përmirësimin e padrejtësive ndaj fshatarëve, ndërsa situata e tyre dita-ditës keqësohej, Zeqë Vërbani, i nxitur edhe nga ankesat e shumta të tyre, reagoi për herë të dytë. Këtë herë në cilësinë e kryetarit të komunës dhe të deputetit të Kuvendit të Parë të Krahinës së Vrajës, i shkroi zyrtarisht mbretit Aleksandër një telegram protestues, të cilin ia dërgoi në selinë e tij në Topollë, më 13.V.1928. Nëpërmjet telegramit Zeqa, në emër të shqiptarëve të Sllatinës së Epërme, shpreh mospajtimin për marrjen e pasurisë, të arave dhe livadheve të tyre të trashëguara nga gjyshërit e stërgjyshërit, e për të cilat i kanë edhe tapitë. Këtu, më poshtë po e japim tekstin e telegramit të përkthyer në gjuhën shqipe nga origjinali(21):


LARTËMADHËRISË SË TIJ MBRETIT ALEKSANDËR(22)
Topollë

     Ne shqiptarët e rrethit të Gjilanit të fshatit Sllatinë e Epërme, me devotshmëri më të përulët qytetare, pasi i shterëm të gjitha mjetet e tjera të rregullta, marrim guximin që Juve, Lartëmadhëri, të ju dërgojmë sa vijon: pasuritë, arat dhe livadhet që na kanë mbetur nga gjyshërit tanë qysh para njëqind vjetësh dhe për të cilat i kemi tapitë, rend me rend po u merren fshatarëve tanë dhe po u jepen kolonistëve, edhe pse ka mjaft mera për këtë qëllim kudo, pra edhe në rrethin e Gjilanit. Sikur të kishte nevojë  për këtë, ne do t'i ndanim vetë pasuritë  me kolonistët pa urdhërin e pushtetit, por për këtë nuk ka nevojë, por me një veprim të tillë vetëm po dëshirohet që të krijohet gjaku i keq ndërmjet kolonistëve dhe popullsisë myslimane (shqiptare), gjë që nuk shkon në favor të rregullit dhe qetësisë së atdheut tonë të dashur...
       Prandaj, me përultësi më të madhe lutemi për fjalën Tuaj të lartë  që pasuritë tona mos t'i prekin, por ato të na mbesin neve!

       Në emër të shqiptarëve të fshatit Sllatinë e Epërme, me përultësi ndaj madhërisë Suaj mbretërore, 

Zeqir Sejdiu
kryetar komune dhe
deputeti i Krahinës së Vrajës


Ngjarjet që pasuan më vonë, dëshmuan se as premtimet e mbretit Aleksandër dhe as telegrami protestues i Zeqë Vërbanit, nuk patën efekt. Madje, autorit të tij i është zënë për "...gabim të madh, gjoja pse ai si kryetar komune dhe deputet rajonal në këtë mënyrë po e pengonte politikën zyrtare rreth zbatimit të masave të reformës agrare"(23), nëpërmjet të së cilës, në të vërtetë, po zbatohej politika kolonizuese serbomadhe, mbështetës i së cilës ishte vetë mbreti. Prandaj, edhe u zvarrit problemi, ndërsa fshatarët e Sllatinës së Epërme, duke mos pasur ç'të bënin tjetër, vazhduan të ankohen. Kështu, më 18.II.1931, pallatit mbretëror iu dërgua ankesa kolektive e nënshkruar nga 11 veta(24), duke angazhuar edhe avokatin gjilanas Vlladan Gl.Popoviqin për t'i mbrojtur interesat e tyre. Por, as kjo ankesë nuk ndihmoi. Pushteti duke i refuzuar ankesat e tyre të gjitha i arsyetonte me pretekst të mbrojtjes së "interesave të larta kombëtare e shtetërore".

Megjithatë, më së keqi e pësuan fshatarët e Sllatinës së Poshtme në përpjekjet e tyre për t'i shpëtuar gjashtë hektarë mera të katundit, të cilët në mënyrë arbitrare ua uzurpuan "kolonistët e Tankosiqit Mirko dhe Simo Miliniqi"(25). Atë ditë kur e kishin kufizuar këtë pronë si të veten, kishin bërë aheng me pije e me të shtëna armësh në ajër. Kur u ishin afruar fshatarët shqiptarë për të protestuar, e disa edhe duke gjuajtur me gurë, kolonistët ua kthejnë me armë. Me atë rast ishte vrarë në vend Mehmet Demelezi, ndërkaq ishin plagosur: Ramiz Frangu, Metush Frangu dhe Tush Frangu, si dhe e mitura Xhevrije Sylë Demelezi. Por, në vend se të përgjigjeshin vrasësit, burgosen: Bejtë Frangu, Elmaz Mjaku dhe Bahri Frangu, të cilët pas tre muajsh qëndrimi në burg, me ndihmën dhe intervenimet e shumta të kryetarit të komunës, Zeqë Vërbanit, mezi ishin liruar. Raste të ngjashme të uzurpimit të merave pati edhe në fshatra të tjera, ndërsa ajo e Sodovinës së Jerlive, e njohur për kullosa të mira, edhe pse disa herë qe marrë në konsiderim për t'iu ndarë kolonistëve, shpëtoi falë angazhimit të Zeqë Vërbanit dhe deputetit Tomë Popoviqit, i cili kishte nevojë për votat e banorëve të kësaj treve.

[Mujë S. Berisha:“Zeqë Vërbani dhe koha e tij”, Prishtinë, 1997, fq.57]
____________________
(12) Zekeria Cana, "Socialdemokracia serbe dhe çështja shqiptare 1903 - 1914", Prishtinë, 1986, fq.129
(13) Selim Musliu, "Ploja në Anamoravë", "Shkëndija", maj 1991
(14) Zekeria Cana, "Ishin ata martirë të kombit", "Bujku", 6 mars 1995
(15) Dr.Liman Rushiti, "Lëvizja kaçake...", vepër e cituar, fq.37
(16) Radoshin Rajeviq, vepër e cituar, fq.105
(17) Vasfi Samim Visoka, fejton "Aparati grabitës i reformës agrare i shovinistëve jugosllavë", në "Bujku", 1996
(18) Radoshin Rajeviq, vepër e cituar, fq.103
(19) Tahir Z.Berisha, "Trojet që nuk shuhen", vepër e cituar, fq.117
(20) Tahir Z.Berisha, po aty, fq.119
(21) Tahir Z.Berisha, vepër e cituar, fq.23-24
(22) Ekzistimin e këtij telegrami i pari e zbuloi dhe e përmendi Dr. Hakif Bajrami në veprën e tij "Rrethanat shoqërore e politike në Kosovë më 1918 - 1941", botuar në Prishtinë më 1981
(23) Tahir Z.Berisha, vepër e cituar, fq.124
(24) Xhafer Shatri, "Ankesa në emër të Sllatinës së Epërme", fejton, "Bujku" dt.19.II.1991
(25) Tahir Z.Berisha, "Kush i shkroi mbretit Aleksandër?", "Bujku", dt.4.I.1992

No comments: