![]() |
Zeqë Vërbani (1886 - 1943) |
Zeqë Vërbani bëri jetë të bujshme, të brumosur me aktivitete të nduarnduarta: luftarake, patriotike, politike, pleqnare etj., ndërkaq edhe jeta e tij private ishte mjaft interesante. Ishte ndër pjesëmarrësit më aktiv në ngjarjet më të rëndësishme në rrethin e Gjilanit. Kështu mori pjesë në aktivitetet dhe luftërat çlirimtare të periudhës 1908 - 1912, të udhëhequra nga Idriz Seferi me shokë; rezistoi hapur kundër masakrave të ushtrisë serbe ndaj shqiptarëve të fshatrave të Moravës së Epërme; ra në konflikt fizik me vojvodën famëkeq e katil, Stojan Domorocin - Sellkiqin, për ç'gjë u detyrua të emigrojë afro pesë vjet në Turqi e Bullgari; si kryetar shumëvjeçar i komunës së Sllatinës së Epërme dhe deputet rajonal i Kuvendit të Parë të Vrajës (1927 - 1929), i mbrojti interesat e popullatës shqiptare të kësaj ane, duke iu kundërvënë haptas zbatimit të reformës agrare dhe kolonizimit të tokave shqiptare. Madje, për këtë, mori guxim t'i drejtohej me shkrim edhe vetë mbretit, Aleksandër Karagjorgjeviq, për padrejtësitë e shumta që u bëheshin shqiptarëve (telegrami i vitit 1928); mori pjesë aktive në dialogun e ashpër të krerëve shqiptarë me mbretin Aleksandër në shtëpinë e Tomë Popoviqit në Gjilan, të cilin e inicoi patrioti Hamdi Kurteshi, nga Pozherani, pas të cilit dialog mbreti, i revoltuar nga ajo që dëgjoi e kishte ndërprerë bisedën duke iu drejtuar shqiptarëve të pranishëm: "Nëse nuk jeni të kënaqur me këtë regjim, ja ku e keni Shqipërinë dhe Turqinë dhe mund të shkoni kur të doni!"(7); si kryetar shumëvjeçar vazhdimisht u interesua për shkollimin e fëmijëve shqiptarë të dymbëdhjetë fshatrave të Komunës së Sllatinës së Epërme. Madje, në vitin 1926, me kërkesën e tij, në shkollën e Sllatinës së Epërme u hap edhe paralelja e dytë për nxënësit shqiptarë; në vitin 1943 arriti ta shpëtojë familjen, vendlindjen, Vërbanin dhe gjashtë fshatra të tjera nga zullumi e terrori bullgar, duke shtyrë edhe vijën kufitare bullgaro-italiane. Këtë e bëri me ndihmën e qeverisë në Tiranë, me ç'rast, së bashku me mësuesin Jetish Vishi, arritën të marrin edhe lejen nga Ministria e Arsimit, për hapjen e shkollës së parë shqipe në Vërban (1943).
Për të gjithë këtë aktivitet, Zeqe Verbani vazhdimisht qe në shënjestër të pushteteve okupatore, sidomos serbo-malazeze e bullgare. Mu për ketë as vdekjen nuk e bëri në shtrat. Fati ia kishte caktuar që të vdesë me armë në dorë, ashtu siç ia kishte ndier zemra, intuita e tij, duke mbrojtur vatrën e vet, vendlindjen, tokat e veta. Shpeshherë u kishte thënë të vetëve: "Kohët janë të tilla sa që njeriu e ka vështirë të vdesë në shtrat nga vdekja natyrore". Dhe vërtet vdiq në këmbë. U vra me bombë, para shtëpisë, nga një përleshje me ushtarët fashistë italianë. U vra dhe shkoi kokë për kokë me një këmishëzi "Mareshale"(8).
Pas çlirimit nga okupatori fashist, kur Kosova dhe populli i saj me dhunë prapë mbeti në përbërjen e Jugosllavisë, por tani të AVNOJ-it, Zeqë Vërbani edhe për një kohë nga pushteti u konsiderua si personalitet antijugosllav(9), sikur edhe familja e tij. Madje, për një kohë nuk iu pranua as statusi i viktimës së terrorit fashist. Kjo u bë më vonë, dhe atë me insistimin e bijëve të tij, kur në fund, në vitin 1985, Këshilli Komunal i Lidhjes së Luftëtarëve të LANÇ-e të Vitisë ia pranoi këtë status.
____________________
(7) Tahir Z.Berisha, "Trojet që nuk shuhen", Prishtinë, 1995, fq.120
(8) "Mareshale" - titull ushtarak në ushtrinë italiane
(9) Me rastin e përjashtimit të Tahir Berishës, profesor në Gjilan, nga anëtarësia e LKJ-së, më 28.IX.1956, si një ndër "fajet" për këtë dënim ishte se "...është i biri i Zeqë Vërbanit". Ky shënim u mor në Muzeun e Revolucionit të Kosovës, në Prishtinë, nga "Pyetësori për Tahir Berishën, luftëtar dhe veteran i arsimit", hartuar më 4.XII.1991.
(7) Tahir Z.Berisha, "Trojet që nuk shuhen", Prishtinë, 1995, fq.120
(8) "Mareshale" - titull ushtarak në ushtrinë italiane
(9) Me rastin e përjashtimit të Tahir Berishës, profesor në Gjilan, nga anëtarësia e LKJ-së, më 28.IX.1956, si një ndër "fajet" për këtë dënim ishte se "...është i biri i Zeqë Vërbanit". Ky shënim u mor në Muzeun e Revolucionit të Kosovës, në Prishtinë, nga "Pyetësori për Tahir Berishën, luftëtar dhe veteran i arsimit", hartuar më 4.XII.1991.
No comments:
Post a Comment